Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka thënë sot se Kosova do t’i ofrojë ndihmë ushtarake Ukrainës.
Maqedonci deklaroi se janë gjithmonë të gatshëm të mbështesin “luftën e drejtë për liri” të Ukrainës.
Ai tha se ndihma, të cilën ai e quan modeste, është shumë e rëndësishme për Ukrainën në këtë fazë të vështirë të luftës së tyre për liri.
“Qeveria e Kosovës ka vendosur të ofrojë dy pako mbështetëse për Ukrainën. Pakoja e parë do të dërgohet këtë javë për në Ukrainë dhe përbëhet nga kamionë taktikë, automjete taktike dhe autoblinda ushtarake. Kurse pakoja e dytë që përbëhet nga predha mortajash 120, 81 dhe 60-milimetërshe, do të dërgohet gjithashtu së shpejti në Ukrainë”, theksoi Maqedonci në një intervistë për agjencinë turke të lajmeve Anadoulu.
Gjatë takimit të 20-të të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, ministri Maqedonci kishte ka konfirmuar se Kosova do të kontribuojë me një paketë të parë të ndihmës ushtarake.
Më 24 shkurt të këtij viti, janë bërë dy vjet nga fillimi i luftës në Ukrainë. Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt të vitit 2022.
Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.