Inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë kanë kryer inspektimet në institucionin parashkollor në komune të Istogut, ku katër fëmijë dyshohet se u helmuan ditën e enjte.
Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi tha për Telegrafin se sot kanë kryer inspektimet dhe se nuk kanë gjetur ndonjë parregullsi në aspektin e higjienës.
“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë zyra regjionale Pejë dje pas orës 16:00 ka pranuar ka pranuar përmes telefonit nga Policia se në shkollën fillore ‘Martin Camaj’ në fshatin Gurrakoc, komuna e Istogut. Ka dyshime për helmim të 4 nxënësve të klasës parashkollorë. Përderisa në ato orë shkolla ishte e mbyllur. Sot janë dërguar inspektorët në vendin e ngjarjes, të cilët kanë kryer inspektim të objektit të shkollës. Ekipi inspektues nuk ka gjetur ndonjë parregullsi në aspektin e higjienës”, deklaroi ai.
Thaçi shtoi tutje se sipas konstatimit preliminar, përkeqësimi i shëndetit të fëmijëve nuk ka të bëjë me dyshim helmimi por infeksion viral sezonal.
Ndërsa, Besnik Ibraj, doktor në Spitalin e Pejës deklaroi se fëmijët janë pranuar në spital ditën e enjte dhe se po vazhdon trajtimi i tyre.
“Katër fëmijë janë sjellë ditën e enjte, ne kemi ndërmarrë të gjitha masat, gjendja e tyre për momentin është e mirë. Ata kanë pasur shenja si humbje e vetëdijes, të vjellura, temperaturë. Ne kemi lajmëruar Policinë e Kosovës dhe Komunën e Istogut lidhur me rastin, për hetime të mëtejme”, tha ai.
Lidhur me rastin nuk ka pasur ende reagime nga Komuna e Istogut.