Eurodeputetët i kërkojnë BE-së ta ndryshojë qasjen, Kosovës e Serbisë t’i kthehen dialogut

Raportuesit për Kosovën e Serbinë në Parlamentin Europian, eurodeputetja gjermane Viola von Cramon dhe eurodeputeti sllovak Vladimír Bilčík, kanë folur për The Guardian për situatën e fundit në Kosovë pas sulmit terrorist që ndodhi të dielën e 24 shtatorit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

Një shkëmbim zjarri vdekjeprurës në Kosovën veriore më 24 shtator dhe paralajmërimi i Uashingtonit javën e kaluar për një grumbullim “të paprecedentë” të trupave serbe pranë kufirit me Kosovën kanë ngritur frikën për stabilitetin e rajonit, shkruan The Guardian.

Dhe ndërsa zyrtarët ushtarakë serbë thanë dje se Beogradi shkurtoi numrin e trupave në kufi, shqetësimet vazhdojnë në kryeqytetet perëndimore.

“Jam thellësisht e shqetësuar për sulmin e fundit në Banjska dhe pasojat e mundshme përshkallëzuese që mund të ketë prodhuar”, tha Cramon.

Von Cramon-Taubadel, e cila është raportuese e Parlamentit për Kosovën, i tha Guardian në një email sot se “kemi qenë dëshmitarë të përkeqësimit dhe përfundimisht ngërçit në dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”.

Pasi terroristi Milan Radojiçiq, kishte pranuar se ishte përfshirë në sulmin terrorist, Cramon tha se duhet të dihet kush qëndron prapa këtij sulmi.

“Ne duhet të dimë në çfarë mase dhe me ndihmën e kujt e ka kryer sulmin, duke pasur parasysh sasinë e municioneve dhe automjeteve të blinduara”, tha Von Cramon-Taubadel.

Ajo tha se duhej të kishte një rishikim të qasjes së Brukselit.

“BE-ja tani duhet të rivlerësojë strategjinë e saj të përgjithshme ndaj bisedimeve Serbi-Kosovë dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor në përgjithësi”, tha ajo.

“Qasja aktuale, e cila fokusohet në stabilitetin ekonomik dhe politik çoi në sulmin në Banjska. Në vend të kësaj, ne duhet t’i japim përparësi bazave – sundimit të ligjit dhe demokracisë dhe të angazhohemi më shumë me zërat përparimtarë nga i gjithë rajoni”, tha ajo.

“Më në fund, ne kemi nevojë për një përforcim të menjëhershëm të KFOR-it dhe EUFOR-it – asgjë nuk pengon më mirë se prania e trupave të fuqishme të NATO-s në terren”, shtoi ajo.

Parlamenti Europian do të debatojë sot pasdite për situatën në Kosovë dhe Serbi.

Përpara diskutimit, The Guardian pyeti një eurodeputet që ndjek nga afër zhvillimet në rajon se si shihen tensionet.

“Unë mendoj se të dyja palët kanë përgjegjësi të madhe për t’u siguruar që ne t’i rikthehemi dialogut sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Vladimír Bilčík, një anëtar sllovak i Parlamentit Europian, në një intervistë telefonike këtë mëngjes.

Bilčík, i cili shërben si negociator i PE-së për Serbinë, tha se “ne duhet të shikojmë me kujdes situatën si në Beograd ashtu edhe në Prishtinë”.

“Fatkeqësisht”, shtoi ai, “me ardhjen e Albin Kurtit në pushtet [në Kosovë] negociatat me të vërtetë kanë ngecur dhe nuk kanë lëvizur në drejtim të gjetjes së një zgjidhjeje – dhe këtë po e them si dikush që është shumë i hapur në kritika ndaj palës serbe”.

Të shtënat e fundit vdekjeprurëse në Kosovën veriore janë “absolutisht të neveritshme dhe të papranueshme – dhe kjo është me të vërtetë një situatë jashtëzakonisht e rrezikshme që tregon se gjërat vërtet mund të dalin jashtë kontrollit. Dhe është e rëndësishme që të ndodhë de-përshkallëzimi, që të ketë një hetim të plotë”, tha Bilčík.

“Është një karotë e madhe në lojë – dhe karota është anëtarësimi në BE. Dhe nëse dialogu nuk vazhdon, ne do të shohim më shumë konflikt, më shumë nacionalizëm, më shumë tërheqje nga bota”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *