Gjykata Kushtetuese, të mërkurën, me 11 tetor 2023, ka publikuar vendimin e plotë për rastin e prokurorit Shqipdon Fazliu me të cilin ky i fundit ka atakuar vendimet e gjykatave të rregullta për refuzimin e padisë së tij si të pasafatshme për procesin e zgjedhjes së Kryeprokurorit të ri të Shtetit.
Përmes vendimit të publikuar, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se Gjykatat e rregullta – Themelorja, Apeli dhe Supremja – kishin vepruar drejtë kur kanë refuzuar padinë e prokurorit Fazliu si të pasafatshme, lidhur me procesin e zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit.
Edhe në vendimin e plotë të publikuar nga Gjykata Kushtetuese, bëhet e qartë se kërkesa e prokurorit Fazliu është trajtuar vetëm sa i përket ligjshmërisë së vendosjes së gjykatave të rregullta për refuzimin e padisë së tij.
Pra, me vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë rast, me asnjë pjesë nuk është trajtuar çështja e ligjshmërisë së procesit të zgjedhjes së Kryeprokurorit të ri të Shtetit.
Në këtë vendim të publikuar bëhet e qartë se para Gjykatës, parashtruesi i kërkesës, prokurori Fazliu ka kontestuar kushtetutshmërinë e Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, përmes të cilit është konfirmuar vendimmarrja e gjykatave me të ulëta lidhur me pasafatshmerine e padisë në konflikt administrativ.
Kujtojmë se, Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme, respektivisht, kishin refuzuar ankesën dhe kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm, duke konfirmuar vendimmarrjen e Gjykatës Themelore.
Gjykatat e rregullta, përkatësisht Gjykata Themelore, e Apelit dhe Supremja, respektivisht, refuzuan padinë e prokurorit Fazliu si te pasafatshme duke u referuar ne nenin 27 të Ligjit për Konfliktin Administrativ, ndërsa refuzuan pretendimet e tij të për aplikueshmerinë e neneve 28 të LKA-së dhe 129 dhe 130 te LPK-së.
Kushtetuesja, ka theksuar se lidhur me pretendimet se padia e prokurorit Fazliu duhej të konsiderohej e afatshme, nuk është e saktë, pasi kjo çështje është trajtuar dhe arsyetuar nga gjykatat e rregullta.