Zyra e Kryeministrit njofton për takimin me Escobar e Lajçak, por s’e përmend kërkesën për Asociacionin

Zyra e kryeministrit për media ka njoftuar për takimin e kryeministrit Albin Kurti me Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak si dhe të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Sipas njoftimit, në këtë takim është diskutuar për dialogun me Serbinë dhe është arritur dakordim që barrikadat e vendosura në rrugët e veriut, duhet të hiqen.

“Diskutuan për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe hapat e mëtejmë, zhvillimet e fundit në vend dhe çështjet aktuale. Në takim kishte dakordim të përbashkët që duhet të hiqen barrikadat në veri të cilat pengojnë lirinë e lëvizjes”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

 Përmes gatishmërisë për takime dhe diskutim, Qeveria ka theksuar se Kosova ka dëshmuar në vazhdimësi së është palë konstruktive që angazhohet për arritjen e një marrëveshje ligjërisht e ndërkombëtarisht të obligueshme për normalizimin e plotë të raporteve të ndërsjella me Serbinë me njohjen reciproke në qendër.​

Në njoftimin e qeverisë nuk është përmendur kërkesa e Escobar për implementimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *