Për shkak se avokati Valdrin Behrami tha se sot është autorizuar dhe nuk posedon shkresat e lëndës, është shtyrë seanca e së premtes në rastin ku deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadani akuzohet për hedhjen e gazit lotësjellës në Kuvend.
Paraprakisht, gjykatësja e rastit Anita Krasniqi-Prenaj tha se përmes shkresës avokati paraprak Naser Sopjani ka njoftuar gjykatën se të gjitha shkresat e lëndës ia ka dorëzuar të akuzuari Ramadani, mirëpo ky i fundi tha se vetëm disa shkresa ka pranuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Do ma herët po”, tha Ramadani.
Në anën tjetër, prokurori Besart Mustafa tha se Prokuroria ka kryer obligimin e saj ligjor dhe se shkresat e lëndës i ka dorëzuar, andaj tha se ia lë në diskrecion gjykatës që të vendos.
Më pas, gjykatësja Krasniqi-Prenaj aprovoi kërkesën e avokatit Behrami dhe seanca u shty për një datë tjetër.
Lidhur me caktimin e seancës së radhës, pas përmendjes së disa datave, i akuzuari kërkoi të caktohet një datë tjetër me arsyetimin se është i angazhuar në Kuvend dhe jashtë vendit, e më pas u caktua seanca tjetër.
Ndryshe, edhe seanca e 20 shkurtit 2024 kishte dështuar të mbahej dhe kjo pasi që i akuzuari Ramadani kishte kërkuar kohë nga gjykata që të gjeje një avokat.
Gjithashtu, edhe seanca e 22 janarit 2024 kishte dështuar, pasi në atë seancë kishte munguar avokati Naser Sopjani.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, e ngarkon Ramadanin për dy vepra penale dhe atë “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” si dhe për “Pengim të personit zyrtar, në kryerjen e detyrës zyrtare”.
Për këtë rast, më 13 korrik 2021 në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ishte mbajtur seanca fillestare në të cilën deputeti Ramadani ishte deklaruar i pafajshëm për veprat penale që i vihen në barrë.
Gjykata e shkallës së parë me aktvendimin e 8 shtatorit 2021 kishte refuzuar si të pabazuar kërkesën për hudhje të aktakuzës të parashtruar nga mbrojtësi i të pandehurit Ramadani, me arsyetimin se pretendimet e të njëjtit janë të paqëndrueshme, të paargumentuara dhe të pambështetura në ndonjë arsye konkrete.
Kundër këtij vendimi, në Gjykatën e Apelit ankesë kishte ushtruar mbrojtësi i të akuzuarit Valon Ramadani, avokati Naser Sopjani.
Ndërsa, Gjykata e Apelit më 8 tetor 2021 kishte nxjerrë aktvendim me të cilin kishte refuzuar si të pabazuar ankesën e avokatit Sopjani, me ç’rast kishte konfirmuar aktakuzën ndaj Ramadanit.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 30 korrik 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Valon Ramadanit, me arsyetimin se ka kryer dy vepra penale dhe atë “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, nga neni 375, paragrafi 1 të KPRK-së si dhe “Pengim i personit zyrtar, në kryerjen e detyrës zyrtare”, nga neni 409, paragrafi 1 të KPRK-së.
Sipas aktit akuzues, më 21 mars 2018, në Prishtinë, saktësisht në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, i akuzuari Ramadani, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në shkelje me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, ka përdorur armë, në atë mënyrë që ka ndezur dhe ka hedhur një bombolë të gazit lotsjellës gjatë zhvillimit të seancës së jashtëzakonshme.
Në aktin akuzues thuhet se në kohën, vendin dhe mënyrën e lartcekur, i akuzuari Ramadani ka penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrës zyrtare, përkatësisht deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mënyrë që ka përdorur gazin lotsjellës dhe janë ndërprerë punimet e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të RKS-së.