Prostitucioni po vazhdon të mbetet një fenomen mjaft shqetësues dhe që përbën sfidë për institucionet në Kosovë. Autoritetet e vendit në vazhdimësi raportojnë për raste të tilla, kur të dyshuarit, shumica prej të cilëve të rinj, janë me prejardhje nga Shqipëria. Ata po shfrytëzojnë “tregun” në Kosovë për të ushtruar këtë veprimtari, raporton Gazeta Sinjali.
Për një rast të tillë ka nisur së fundmi hetimet Policia rajonale në Ferizaj, pas arrestimit të një 32-vjeçareje, shtetase e Shqipërisë, nën dyshimet se është marrë me prostitucion.
Pas mbledhjes së informacioneve nga Njësia për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, u zbulua se nga muaji mars deri në muajin prill, në një motel në rrugën “Ilir Konushevci”, në Ferizaj, e dyshuara ka kryer marrëdhënie seksuale me pagesë me dy burra, të moshës 30-vjeçare dhe 28-vjeçare.
Sinjali mëson se rasti është proceduar në Departamentin për Kundërvajtje në Gjykatën Themelore në Ferizaj nën dyshimet se është marrë me prostitucion.