Hovenier: Të shqetësuar që nuk janë krijuar kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve

Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier ka reaguar pas incidenteve me granata dore që ndodhën të martën në veri të Mitrovicës, ku persona të maskuar dëmtuan zyret e komisioneve komunale zgjedhore në këtë pjesë.

Hovenier përmes një reagimi në Twitter ka shkruar se përdorimi i dhunës dhe i frikësimit, nuk është metodë e përshtatshme proteste në asnjë rrethanë.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dënojnë ata që ushtruan dhunë gjatë incidenteve të djeshme në veri të Kosovës. Përdorimi i dhunës dhe i frikësimit, duke përfshirë përdorimin e një mjeti shpërthyes, dhe rrezikimin e jetëve nuk është kurrë një metodë e përshtatshme proteste, në asnjë rrethanë”, ka shkruar Hovenier.

Ambasadori amerikan ka shtuar se SHBA-të janë të shqetësuara që nuk janë krijuar kushtet për momentin që zgjedhjet në veri të mbahen në fund të këtij muaji.

“Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara se nuk janë krijuar kushtet për momentin që zgjedhjet të mbahen në fund të këtij muaji në veri të Kosovës. Siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës duhet të jetë prioriteti më i lartë. Ne kërkojmë që të gjithë të përfshirët të jenë të përmbajtur”, shkroi Hovenier.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *