BE propozon gjykatë speciale për të gjykuar krimet e Rusisë

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka bërë të ditur se organi ekzekutiv i Bashkimit Evropian (BE) që udhëheq ajo do të punojë me Gjykatën Penale Ndërkombëtare për të “ndihmuar në ngritjen e një gjykate të specializuar për të gjykuar krimet e Rusisë”.

“Rusia duhet të paguajë për krimet e saj të tmerrshme, përfshirë krimin e saj të agresionit kundër një shteti sovran. Dhe kjo është arsyeja pse ndërkohë që vazhdojmë të mbështesim Gjykatën Penale Ndërkombëtare, ne propozojmë krijimin e një gjykata të specializuar, të mbështetur nga OKB-ja, për të hetuar dhe për të ndjekur penalisht krimin e agresionit të Rusisë”, tha von der Leyen në një video-mesazh që ajo ndau në Twitter.

Shefja e Komisionit Evropian tha se Rusia gjithashtu duhet të paguajë çmimin financiarisht për shkatërrimin që shkakton, duke shtuar se dëmi i pësuar nga Ukraina vlerësohet në 600 miliardë euro.

“Rusia dhe oligarkët e saj duhet të kompensojnë për dëmin dhe të mbulojnë kostot për rindërtimin e vendit”, theksoi von der Leyen.

Ajo tha se blloku evropian tashmë ka bllokuar 300 miliardë euro të rezervave të Bankës Qendrore Ruse dhe ka ngrirë 19 miliardë euro të holla të oligarkëve rusë.

“Në afat të shkurtër, me partnerët tanë ne mund të krijojmë një strukturë për të menaxhuar këto fonde dhe për t’i investuar ato”, tha von der Leyen, duke shtuar se pasi të hiqen sanksionet kundër Rusisë, këto fonde duhet të përdoren si kompensim i plotë për Ukrainën.

Ajo theksoi se me partnerët do të punojnë për një marrëveshje ndërkombëtare për ta bërë të mundur këtë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *