Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, vlerësoi mbështetjen e Gjermanisë për mbrojtjen e Ukrainës kundër pushtimit rus për edicionin e së dielës të së përditshmes gjermane Welt, dy ditë para takimit të ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të Aleancës në Bukuresht.
“Mbështetja e fortë e Gjermanisë bën një ndryshim vendimtar,” tha Stoltenberg.
Gjermania është kritikuar në mënyrë të përsëritur nga zyrtarë të lartë ukrainas për vonesën në sigurimin e pajisjeve ushtarake dhe për refuzimin e dërgimit të armëve të rënda.
Stoltenberg deklaroi se pajisjet gjermane po shpëtojnë jetë në Ukrainë.
Por ai shtoi gjithashtu se “ne të gjithë duhet të ruajmë mbështetjen tonë për Ukrainën dhe ta rrisim atë”.
Ndër armët që Gjermania i dorëzoi Ukrainës është sistemi modern anti-ajror Iris-T, i destinuar për mbrojtje kundër sulmeve ruse me raketa dhe mjete ajrore pa pilot. Vitin e ardhshëm, Gjermania duhet të dërgojë edhe tre të tjerë.
Stoltenberg tha se presidenti rus Vladimir Putin po reagon ndaj tërheqjes së ushtrisë së tij me “brutalitet të shtuar”.
Si shembull për këtë, ai përmendi shënjestrimin e infrastrukturës energjetike të Ukrainës në pritje të dimrit.
“Putini po përpiqet të përdorë dimrin si armë, por nuk do të funksionojë”, shtoi kreu i NATO-s.