Një rast i tmerrshëm dyshohet se ka ndodhur para gjashtë ditësh në fshatin Sveçël të Podujevës, ku një vajzë 7-vjeçare është sulmuar seksualisht nga një burrë 30-vjeçar. Sinjali ka mësuar detaje se si i dyshuari e keqpërdori seksualisht vajzën në një rrugë të fshatit më 10 korrik.
Burimet e Sinjalit kanë bërë të ditur se Prokuroria Themelore në Prishtinë është vënë në dijeni për rastin, më 12 korrik, pas denoncimit të prindit të të miturës, i cili ka rrëfyer detaje për momentet e tmerrit që ka përjetuar 7-vjeçarja. Në dëshminë e dhënë para zyrtarëve policorë, babai i vajzës ka deklaruar se e bija është trishtuar kur burri 30-vjeçar e sulmoi seksualisht, fillimisht duke e ledhatuar, e më pas duke e puthur me zor.
Pasi është marrë deklarata e prindit të viktimës, Policia ka nisur hetimet, me ç’rast ka siguruar edhe pamje nga kamerat e sigurisë, të vendosura në pjesën e rrugës ku ndodhi ngjarja. Nga video-incizimet është bërë identifikimi i të dyshuarit, i cili është arrestuar gjatë ditës së djeshme.
Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të iniciohet rasti si “sulm seksual” dhe i dyshuari të ndalohet për 48 orë, teksa më pas të ndërmerren veprimet e nevojshme hetimore.
Sipas burimeve të Sinjalit, 30-vjeçari i arrestuar për këtë rast dyshohet edhe për raste të tjera të kësaj natyre, veprime këto që ngjasojnë me pedofili.