Në rigjykim, lirohen nga akuza gjashtë të akuzuarit për shmangie nga tarifat e detyrueshme doganore

Në rigjykim, Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarve Imer Azemi, Kadri Kurtishi, Bujar Loku, Ramadan Topojani, Nazmi Kalisi dhe Tahir Curri, të cilët ngarkoheshin për veprën penale “Shmangie nga tarifat e detyrueshme doganore”.

Shpallja e aktgjykimi u bë të premten, nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Violeta Namani, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas këtij aktgjykimi, nuk është provuar se të akuzuarit e kanë kryer veprën penale e cila iu vihej në barrë.

Shpenzimet e procedurës penale bien në barrë të mjeteve buxhetore te gjykatës. Kurse, palët e pakënaqura kanë të drejtë anekse kundër këtij aktgjykimi në Gjykatën e Apelit.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 10 tetor 2022 i ka shpallur fajtorë dhe i ka dënuar me 8 vite e gjysmë burgim të akuzuarit Imer Azemi, Kadri Kurtishi, Bujar Loku, Ramadan Topojani, Tahir Curri, Nazmi Kalisi dhe Bekim Sylejmani, me 1 vit burgim me kusht të akuzuarit Naser Ljamalari dhe Izair Aliu, ndërsa janë liruar nga akuzat Xhemajl Ramushi, Hasip Kiki dhe Samet Ballazhi, e iu refuzuar aktakuza të akuzuarve Nexhat Gashi, Gani Shabani dhe Agron Krasniqi.

Por më 31 korrik 2023, Gjykata e Apelit ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, vetëm sa i përket të akuzuarve: Imer Azemi, Kadri Kurtishi, Ramadan Topojani, Tahir Curri, Nazmi Kalisi dhe Xhemajl Ramushi, për veprën penale në vazhdimësi “Shmangia e pagesave të detyrueshme doganore” nga neni 318, paragrafi 3, lidhur me paragrafin I e lidhur me nenin 31 si në pikën V të dispozitivit të aktgjykimit, ashtu që për këtë pikë të dispozitivit, çështja penale kthehet në rigjykim dhe vendosje pranë gjykatës së shkallës së parë.

Ndërkaq, sipas aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, pjesa tjetër e aktgjykimit të Themelores vërtetohet.

Ky rast është kthyer në rigjykim edhe ndaj të akuzuarit Xhemajl Ramushi, mirëpo në seancën e 17 tetorit 2023, gjykata ka bërë veçimin e procedurës penale ndaj të tij për shkak se jeton jashtë vendit.

Ndryshe, prokurori në fjalën përfundimtare ishte tërhequr nga ndjekja për krim të organizuar ndaj të akuzuarve, por i njëjti kishte bërë rikualifikimin e veprave penale të cilat u viheshin në barrë të akuzuarave.

Ndaj të akuzuarit Kadri Kamberi veçse ishte veçuar procedura më parë, kurse ndaj të akuzuarve Rrahman Ljamalari dhe Jonuz Ljamalari ishte parashkruar vepra penale për të cilën akuzoheshin.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 15 maj 2014, kishte ngritur aktakuzë ndaj zyrtarëve policorë Hasip Kiki, Bekim Sylejmani dhe Samet Ballazhi dhe ndaj 15 të akuzuarve tjerë për veprat penale krim i organizuar, kontrabandim me mallra, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, marrje e ryshfetit, dhënie e ryshfetit, shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore, shmangie nga tatimi dhe veprën penale kalimi i paautorizuar i vendkalimeve kufitare ose i vijës kufitare.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit në fillim të vitit 2011, kishin themeluar, organizuar, mbikëqyrur dhe drejtuar veprimtarinë e grupit kriminal, duke e ditur se pjesëmarrja e tillë do të kontribuojë në realizmin e veprimtarive kriminale të grupit, me qëllim të përfitimit të dobisë financiare.

Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit Imer Azemi dhe Kadri Kurtishi, kishin menaxhuar mallin me transport në Kosovë, Maqedoni dhe Serbi, pastaj e kishin organizuar shitblerjen e mallit, duke e marrë me qira, të cilin e kishin dërguar në kompanitë në Ferizaj dhe Prishtinë.

Ndërkaq, të akuzuarit Hasip Kiki, Bekim Sylejmani dhe Samet Ballazi në cilësinë e zyrtarëve policorë, thuhet se kishin keqpërdorur detyrën zyrtare, duke iu mundësuar të akuzuarve që të veprojnë lirshëm, nga të cilët kishin marrë edhe ryshfet për këto shërbime.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Kiki si polic hetues në Policinë Kufitare- Zona e Lindjes në Kaçanik, kishte mbajtur komunikime të rregullta me të akuzuarin Bujar Loku, dhe më 1 nëntor 2012, gjatë bisedës telefonike më të, në vend që të akuzuarit Imer Azemi dhe Qerim Kurtishi të merren në pyetje në cilësinë e personave të dyshuar për shkak të kontrabandimit të mallit, ai i kishte mashtruar udhëheqësin dhe kolegun e tij, kinse prokurori kujdestar në Ferizaj, kishte urdhëruar që ata të dëgjohen në cilësinë e dëshmitarëve dhe pastaj të lirohen.

Ndërkaq, sipas Prokurorisë, policët Bekim Sylejmani dhe Samet Ballazhi, iu kishin mundësuar të akuzuarve Kadri dhe Qerim Kurtishit si dhe Imer Azemit që të kontrabandojnë mallra nga Maqedonia në Kosovë dhe anasjelltas.

Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale, thuhet se të akuzuarit Imer Azemi, Kadri dhe Qerim Kurtishi prej vitit 2011 e deri në dhjetor 2013, kishin tejkaluar vijën kufitare mes Maqedonisë dhe Kosovës dhe anasjelltas, duke bartur mallra si: veshmbathje dhe duhan, duke shmangur kontrollin doganor, dhe të njëjtat i kishin shitur në firma të ndryshme në Ferizaj, Kaçanik, Han të Elezit dhe Prishtinë.

Prokuroria, zyrtarët policorë Hasip Kiki, Bekim Sylejmani dhe Samet Ballazhi i ngarkonte me veprat penale të krimit të organizuar, keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrje të ryshfetit.

Të akuzuarit Imer Azemi dhe Kadri Kurtishi thuhet se kanë kryer veprat penale të krimit të organizuar, kontrabandës me mallra dhe shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore.

Të akuzuarit Bujar Loku, Ramadan Topojani, Tahir Curri, Kadri Kamberi, Nazmi Kalisi dhe Xhemajl Ramushi, thuhet se kanë kryer veprat penale krim i organizuar, kontrabandë me mallra, shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore, ndërsa Bujar Loku edhe veprën penale dhënie e ryshfetit.

Të akuzuarit Nexhat Gashi, Gani Shabani dhe Agron Krasniqi ngarkoheshin me veprat penale kontrabandë me mallra dhe shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore, ndërsa së bashku me të akuzuarit Rrahman Ljamalari, Januz Ljamalari, Naser Ljamalari dhe Izair Aliu, për shmangie nga tatimi.

Ndërsa, të akuzuarit Kadri Kurtishi dhe Tahir Curri akuzoheshin edhe me veprën penale “kalimi i paautorizuar i vendkalimeve kufitare ose i vijës kufitare”.

Bashkë të akuzuar në këtë rast kishin qenë edhe Isuf Ljamalari, Bahtir dhe Bejtush Gashi, mirëpo ndaj tyre ishte veçuar procedura.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *