Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se për Ligjin e ndryshuar për Tatimin në Pronë, komunat duhet të vendosin më së largu deri më 15 shtator për faljen e faturave deri në 100 euro për secilin tatimpagues.
Ai tha se të gjitha komunat do ta kenë mundësinë që të zvogëlojnë barrën tatimore për qytetarët, ashtu siç, sipas tij, kanë kërkuar.
“Dhe kësisoj t’i kursejnë shumicën prej tyre nga pagesa e këstit të dytë që duhet të bëhet muajin shtator. Në rast miratimi nga komuna, qytetarëve që tashmë kanë paguar faturën e tatimit në pronë, shuma e paguar u llogaritet parapagim për faturën vijuese”, tha Murati.
Kujtojmë se ky ligj është komentuar shumë nga komunat, duke thënë se po iu afektohen të hyrat vetanake që marrin nga tatimi në pronë.
Postimi i plotë:
Ligji i ndryshuar për Tatimin në Pronë tashmë është në fuqi pas votimit në Kuvend dhe dekretimit nga Presidentja.
Përmes këtij ligji, mundësohet falja e faturave të tatimit në pronë deri në 100 euro për secilin tatimpagues, dhe komunat duhet të vendosin më së largu deri më 15 shtator për këtë zbritje.
Pra, të gjitha komunat do ta kenë mundësinë që të zvogëlojnë barrën tatimore për qytetarët, ashtu siç kanë kërkuar, dhe kësisoj t’i kursejnë shumicën prej tyre nga pagesa e këstit të dytë që duhet të bëhet muajin shtator.
Në rast miratimi nga komuna, qytetarëve që tashmë kanë paguar faturën e tatimit në pronë, shuma e paguar u llogaritet parapagim për faturën vijuese.