Vajzat dhe gratë vazhdojnë të mbeten viktimat më të shpeshta të dhunës në familje. Bashkëshortët dhe anëtarët tjerë të familjes në shumë raste ushtrojnë dhunë sistematike në mënyra të ndryshme ndaj tyre. E për shkak të dhunës fizike që përjetojnë, viktimat në të shumtën e herëve përfundojnë me lëndime të rënda dhe dërgohen në spital, raporton Gazeta Sinjali.
Me dhunë nga burri me të cilin bashkëjeton është përballur gjatë ditës së djeshme edhe një grua nga Lipjani.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se ka qenë vetë viktima ajo e cila ka denoncuar rastin në Polici, e cila ka raportuar se është grushtuar nga burri i saj, pas një mosmarrëveshje.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar nga Policia dhe më pas është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Me urdhër të prokurorit, burri i dyshuar është dërguar në mbajtje dhe ndaj tij është iniciuar rasti për veprën penale “Dhunë në familje”.