Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është shprehur e lumtur pas arritjes së marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave në Bruksel edhe për këtë ka shprehur mirënjohjen e saj për Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë Jeff Hovener.
“Dua të falënderoj ambasadorin Jeff Hovenier dhe Qeverinë e SHBA-së për angazhimin e tyre në arritjen e marrëveshjes së sotme në Bruksel. Mbështetja e tyre për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është e domosdoshme. Kosova u është mirënjohëse”, ka shkruar Osmani në Twitter.
Osmani, ka qenë e ashpër me ndërmjetësuesin Borrell duke akuzuar atë për njëanshmëri.
Ndryshe, shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha të mërkurën se Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje lidhur me targat në bisedimet ndërmjet kryenegociatorëve të të dy vendeve.
“Me kënaqësi ju njoftoj se kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, me lehtësimin e BE-së, kanë rënë dakord për masat, për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për t’u përqendruar plotësisht në propozimin për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre”, ka shkruar Borrell.