Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, në një konferencë për media në Mitrovicë tha se Prishtina, përkatësisht Albin Kurti, është e vetmja përgjegjëse për dështimin e negociatave në Bruksel. Ai ka paralajmëruar protesta në të gjitha institucionet, pa specifikuar se kur do të nisin.
“Deri në mëngjes kemi pasur një takim me presidentin Aleksandar Vuçiq. Në atë takim ishin të pranishëm ministrat, kryeministri dhe drejtori i zyrës për Kosovë. Ndoshta ishim të lodhur, por kur pamë shqetësimin e presidentit Vuçiq dhe përkushtimin e tij për zgjidhjen e kësaj krize të shkaktuar nga Prishtina, asgjë nuk ishte e vështirë për ne. Asnjë marrëveshje nuk është arritur në Bruksel dhe Prishtina është përgjegjëse për këtë”, tha Rakiq.
“Ne serbët nga Kosova vetëm kërkojmë që marrëveshjet e nënshkruara të zbatohen ashtu siç është rënë dakord në Bruksel… Ne duam të jetojmë në paqe, të jemi vetëm dhe të qëndrojmë në vatrat tona shekullore”, tha Rakiq.