Thellohet skandali në MPB – konstatohet shkelja e shefit të prokurimit për tenderin milionësh të targave

Komisioni Rregullativ per Prokurim Publik (KRPP) ka konstatuar se ushtruesi i detyrës së shefit të prokurimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Agim Islami ka shkelur procedurat për tenderin milionësh të targave.

Në një interpretim të publikuar të martën, KRPP-ja ka vërtetuar raportimin e Paparacit për veprimet e dyshuara si të kundërligjshme të shefit të Prokurimit në MPB.

Në këtë interpretim, Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik ka evidentuar shkeljet e zyrtarit përgjegjës të prokurimit në MPB, i cili krye në vete vlerësoi ofertat për tenderin ‘Furnizim me rarga për regjistrimin e automjeteve’, të vlefshëm rreth dy milionë euro.

Islami, në cilësinë e shefit të prokurimit, ka nxjerrë vendim përfundimtar për shpalljen e fituesit të tenderit duke shpërfillur raportin e komisionit për rivlerësim të ofertave. Dy anëtarë të komisionit për rivlerësim, nga tre gjithsej, kanë rekomanduar anulimin e tenderit. Por, janë shpërfillur nga u.d. i shefit të Prokurimit.

Ai, në një e-mail dërguar sekretares së MPB-së, Fahrije Tërnava, e kishte njoftuar atë për shpalljen fitues të tenderit konsorciumin privat të përbërë nga kompanitë ‘EGOELSA Sh.P.K’ dhe ‘Rade Konçar’.

Por, bazuar në interpretimin ligjor të KRPP-së, tenderi do të duhej të rikthehej në rivlerësim të ofertave.

Ligji për Prokurimin Publik parasheh se zyrtari përgjegjës i prokurimit, në situata të refuzimit nga komisioni vlerësues duhet të nxjerrë vendim të rikthimit të lëndës në rivlerësim.

“Në rast se Zyrtari Përgjegjës i Prokurimit e refuzon rekomandimin e komisionit të vlerësimit, do të shpjegojë arsyet me shkrim dhe menjëherë do të informojë me shkrim Zyrtarin Kryesor Administrativ të AK-së për këtë refuzim, si dhe të formoj komision të ri për ri-vlerësim”, thuhet në njërën nga pikat e interpretimit të nxjerrë nga KRPP-ja.

Paparaci, nga burime brenda Ministrisë, ka marrë vesh se ky proces është udhëhequr me presione dhe ndikime te shumta nga Agim Islami, “i cili vazhdimisht ka bërë presion për shpalljen fituese te kompanisë së preferuar prej tij”.

Gjithashtu, për këtë tender mësohet se të përfshirë janë edhe sekretarja e kësaj ministrie Fahrije Ternava dhe këshilltarja politike e ministrit Vlora Gojani. Ata kanë qenë të informuar për procesin e dyshimtë tenderues.

Operatorët tjerë pjesëmarrës në këtë tender tashmë kanë paraqitur ankesat e tyre pranë Gjykatës së Tenderëve (OSHP), nga ku pritet te evidentohen shkeljet e Ministrisë së Punëve të Brendshme. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *