BQK: Qytetarët e Kosovës rreth 50 për qind të shpenzimeve të udhëtimit i harxhuan në Shqipëri

Rreth 50 për qind e shpenzimeve të udhëtimit të qytetarëve të Kosovës u harxhuan në Shqipëri, thuhet në raportin e Bilancit të Pagesave të prezantuar nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK).

Sipas BQK-së, shpenzimet e udhëtimit të kosovarëve jashtë vendit për muajin qershor janë rritur për 18 për qind.

“Shpenzimet e udhëtimit të kosovarëve jashtë vendit, gjatë muajin qershor kanë arritur vlerën e 58.9 milionë eurove që paraqet rritje prej 18 për qind, prej të cilave rreth 46 për qind janë shpenzimet në Shqipëri”, thekson BQK-ja.

Për sa i përket shërbimeve, 90 për qind të shpenzimeve të udhëtimit është krijuar nga diaspora e Kosovës.

“Kategoria kryesore e shërbimeve janë shërbimet e udhëtimi. Vetëm gjatë muajit qershor në Kosovë shërbimet e udhëtimit kanë arritur vlerën 141.3 milionë euro, vitin e kaluar në këtë periudhë kanë qenë 132.3 milionë euro apo 7 për qind më të ulëta se këtë vit. Rreth 90 për qind e shpenzimeve të udhëtimit në Kosovë, përkatësisht 126.6 milionë euro janë shpenzimet e diasporës. Krahasuar me periudhën e njëjtë vitin e kaluar, diaspora këtë vit ka shpenzuar rreth 15 për qind më shumë”, thekson raporti.

Deficiti i bilancit tregtar deri më muajin qershor arriti në vlerën e 2.1 miliardë eurove, që është niveli më u lartë krahasuar me vitin paraprak, ndërsa shërbimet kanë shënuar bilanc pozitiv, me një rritje prej 36 për qind.

“Bilanci tregtar në mallra në kuadër të Bilancit të Pagesave, deri në qershor 2023, kishte deficit në vlerë prej 2.1 miliardë euro, që është deficit më i madh tregtar krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Shërbimet, deri në qershor 2023, kanë shënuar bilanc pozitiv në vlerë 553.2 milionë euro, që paraqet rritje prej 36 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022 apo 407.8 milionë euro”, vijon BQK-ja.

Institucioni më i lartë financiar në vend pohon se investimet e huaja direkte janë rritur për 14 për qind.

“Bilanci i investimeve direkte në Kosovë deri në qershor 2023 shënoi rezultat prej 271.9 milionë euro, që tregon se vlera e tyre ishte 374.2 milionë euro, është më lartë se të investuara nga kosovarët jashtë që janë 101.9 milionë euro. Investimet direkte arritën vlerën e 374.2 milionë euro e që paraqet rritje prej 14 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit kaluar, prej 327.3 milionë euro deri në qershor 2022”, shton ky institucion.

Derisa investimet tjera shënuan vlerë negative.

“Investimet tjera (investimet në depozita, kredi dhe në kredi tregtare) deri në qershor 2023 kanë shënuar vlerë negative prej 135.9 milionë euro dhe cila i atribuohet kryesisht rritjes së borxhit të jashtëm në Kosovë, në vlerë prej 285.4 milionë euro deri në qershor 2022. Bilanci i investimeve në letra me vlerë, pa përfshirë letrat me vlerë në kuadër të aseteve rezervë, deri në qershor 2023 janë rritur për 86.7 milionë euro”, shton BQK-ja.

Në fund raportit thuhet se asetet rezervë janë rritur për 78.6 milionë euro, ndërsa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak rritja ishte për 171.8 milionë euro.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *