Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e sotme të Qeverisë, ka treguar se pesë pjesëtarë të Policisë së Kosovës në mesin e tyre edhe zëvendësdrejtori i PK-së, Dejan Jankoviq po vazhdojnë të mbahen ende në Serbi.
Kurti ka treguar se zëvendësdrejtori Jankoviq është dërguar në Rashkë.
“Një ditë pas votimit të Asamblesë Parlamentare në favor të Kosovës, Serbia u hakmor, ndaloj në kufi përmbi 20 orë qindra qytetarë të vendit tonë të cilët Serbinë e shfrytëzonin si transit për tu kthyer apo për të shkuar në vendet e Bashkimit Evropian.
Në mesin e të ndaluarve dhe të arrestuarve është dhe zëvendës drejtori i PK, Dejan Jankoviq nga radhët e komunitetit serb. Sipas informacioneve që kemi zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës është dërguar në Rashkë”, ka thënë Kurti.
Kryeministri ka shtuar se nga e kaluara e dimë që në rast të dërgimit atje ata që ndalohen intervistohen nga akterë të ndryshëm shtetëror të Serbisë.
“Dje në ndalim kanë qenë 10 pjesëtarë të policisë, serb dhe shqiptarë të cilët janë ndaluar në kalimet kufitare, Merdar, Jarinje, Dheu i Bardhë dhe në kufirin mes Kroacisë dhe Serbisë. Pesë janë liruar dhe pesë ndodhen akoma në mbajtje përfshirë edhe zv.drejtorin Jankoviq, por aty janë edhe Sinisha Miliq, Zoran Marnkoviq, Boban Simunoeviq dhe Ramiz Ibrahimi”, tha Kurti.
Kryeministri shtoi se veprimi i Serbisë është akt i ultë i hakmarrjes, akt me qëllim të eskalimit të tensioneve.