Sot nis grumbullimi i Kombëtares së Kosovës, trajneri Gliha del në konferencë për shtyp

Sot do të nisë grumbullimi i Kombëtares së Kosovës për ndeshjet e tetorit.

Prej sot, futbollistët do të zbarkojnë një nga një në tokën dardane pas angazhimeve që i patën në fundjavë me ekipet përkatëse në Evropë.

Por, ata do ta mbajnë stërvitjen e parë nesër paradites në Kampin Nacional në Hajvali duke filluar nga ora 11:00, njofton Federata e Futbollit të Kosovës në agjendën e publikuar të “Dardanëve”.

Ndërsa, pasditen e nesërme Vedat Muriqi me shokë do të ushtrojë përsëri, por në stadiumin “Fadil Vokrri” duke filluar nga ora 17:00.

Ndërkaq, të mërkurën në mëngjes kontingjenti kosovar do ta marrë rrugën drejt Andorrës, me të cilën Kosova do të përballet të enjten në udhëtim.

Të premten, trupa kosovare do të kthehet në atdhe për t’u bërë gati për lojën e së dielës me Izraelin, ndonëse nuk dihet ende nëse do të luhet apo do të shtyhet kjo lojë pas situatës kaotike të krijuar në shtetin izraelit.

UEFA ka thënë se do të vendosë në ditët në vazhdim për lojën Kosovë – Izrael.

Ndërkohë, sot nga ora 15:00, selektori Primoz Gliha do ta mbajë një konferencë për shtyp para lojës me Andorrën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *