Prokuroria Themelore e Prishtinës ka ngritur aktakuzë ndaj zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi dhe deputetëve të PDK-së, Hajdar Beqa, Mërgim Lushtaku e Bekim Haxhiu për rrahjen në Kuvendin e Kosovës.
Sipas aktakuzës, Bislimi, Beqa e Lushtaku akuzohen për sulm. Beqa akuzohet gjithashtu për “asgjësim apo dëmtim të pasurisë”.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se Prokurori i Shtetit, pas zhvillimit të hetimeve dhe zgjerimit të tyre, mbledhjes dhe analizimit të provave, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve B.B., H.B., M.L. dhe B.H., (deputetë të Kuvendit të Kosovës), lidhur me përleshjen fizike të dt. 13.07.2023, gjatë mbajtjes së seancës së rregullt plenare në objektin e Kuvendit të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
“Sipas aktakuzës, të pandehurit B.B., M.L., H.B., ngarkohen për veprën penale “Sulmi”, nga neni 184 paragrafi 1 të KPRK-së, ndërsa i pandehuri H.B., gjithashtu ngarkohet me veprën penale “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”, nga neni 321 paragrafi 1 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, sipas Prokurorisë, për Haxhiun “ekziston dyshimi i bazuar mirë se ka kryer veprën penale ‘Lëndimi i lehtë trupor’, nga neni 185 paragrafi 1, nënparagrafi 1.4 të KPRK-së”.
“Prokurori i Shtetit me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat iu vihen në barrë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.