Përplasje me Brojën? Sylvinho tregon se çfarë ndodhi me të para ndeshjes ndaj Çekisë

Trajneri i Kombëtarës së Shqipërisë, Sylvinho ka mohuar që të ketë ndonjë problem mes tij dhe Armando Brojës.

Sulmuesi ishte i ftuar për ndeshjen ndaj Republikës Çeke, si dhe për miqësoren e nesërme ndaj Bullgarisë, por ai vetëm pas dy ditësh u largua nga grumbullimi dhe u kthye në Londër.

Pas kësaj pati shumë spekulime, për një prishje të raporteve mes Sylvinhos dhe Brojës.

Megjithatë, kjo është hedhur poshtë nga tekniku brazilian. Ai sqaroi situatën në konferencën e sotme për media.

“Ajo që ka ndodhur me Brojën është shumë e thjeshtë, vjen nga një dëmtim i rëndë, i është dashur 9 muaj të qëndrojë jashtë fushave të lojës. U rikthye para pak javësh luajti pak minuta në ndeshjen e parë, të njëjtën gjë edhe të dytën. Pastaj një ndeshje para se të vinte te ne luajti për 45 minuta dhe u zëvendësua për të mos u futur më në fushë pasi ka pasur disa probleme fizike”, tha fillimisht përzgjedhësi i Kombëtares shqiptare.

“Normalisht ai bëri kontroll te Chelsea para se të vinte te ne, kontrollet shkuan mirë, por kur erdhi këtu u stërvit, e pamë në stërvitje dhe kishte një shqetësim akoma, u ulëm biseduam me doktorin edhe me klubin e Chelseat kemi qenë në kontakte të vazhdueshme për t’u marrë vesh në lidhje me dëmtimin e tij. Ishte e qartë që nuk ishte në gjendje të luante dhe bashkë me klubin dhe lojtarin ramë dakord që ai të kthehej te Chelsea dhe të nisë rikuperimin. Kjo është e gjithë historia dhe kjo ka ndodhur”, deklaroi Sylvinho.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *