Projektligji për shëndetin riprodhues, Vitia: Kjo nismë mbështet drejtpërdrejt familjet e qytetarëve tanë

Kuvendi i Kosovës e ka miratuar të mërkurën në lexim të parë një projektligj për shëndetin riprodhues dhe fertilizimin e asistuar, i njohur si IVF, pas shumë përpjekjeve.

Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia i ka falënderuar deputetët për mbështetjen, duke shtuar se ky është një ligj jashtëzakonisht i rëndësishëm për qytetarët.

“Sot Kuvendi i Kosovës miratoi në lexim të parë një ligj jashtëzakonisht të rëndësishëm për shumë qytetarë.

I falenderohem deputetëve që e mbështetën!

Shumëkush ka kaluar nëpër përvojën e mundimshme dhe të kushtueshme të fertilizimit të asistuar, IVF. Udhëtimet e shpenzimet janë kaq të mëdha saqë shumë familje kanë shpenzuar të gjitha kursimet e tyre, e jo rrallë edhe pronat, vetëm për ta siguruar këtë trajtim.

Finalizimi i këtij ligji në hapin e ardhshëm nga Kuvendi do të hapë rrugën për këtë shërbim kaq të vyeshëm në institucionet tona publike dhe pa kosto shtesë. Ky ligj veçanërisht ka si qëllim sigurinë dhe monitorimin e rregullsisë në të gjitha procedurat për fertilizimin e asistuar.

Kjo është një nismë që mbështet drejtëpërdrejt familjet e qytetarëve tanë.”, ka shkruar Vitia.

Projektligji i mori votat e shumicës dërrmuese të 63 deputetëve të pranishëm në seancë, derisa një deputet votoi kundër dhe katër të tjerë abstenuan.

Ai duhet të votohet edhe në lexim të dytë për t’u bërë ligj.

Ky legjislacion ua mundëson edhe grave të pamartuara të mund të lindin fëmijë përmes metodës IVF në klinikat publike.

Projektligji ishte kundërshtuar ashpër nga një pjesë e deputetëve.

Sipas projektligjit, të drejtën e shfrytëzimit të IVF-së e kanë edhe gratë e pamartuara, mbi 18 vjeç, që janë në gjendje të mirë shëndetësore e sociale dhe janë të afta “për fertilizim dhe për përkujdesje prindërore”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *