Pronari i një agjencioni gjen 8 armë në çantën që ia dhanë për ta dërguar në Gjermani – arrestohen dy persona

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar dy persona të dyshuar për veprën penale “ Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”.

Të dyshuarit ranë në prangat e Policisë pas denoncimit të pronarit të një agjencioni turistik, i cili ka gjetur armë në çantën që ia dhanë për ta dërguar në Gjermani.

“Me datë 04.10.2023, rreth orës 06:30, policia është njoftuar nga pronari i një agjencie turistike se ka pranuar një çantë nga dy qytetarë për ta transportuar në Gjermani me autobus, i njëjti e ka hapur çantën në prezencën e personave të cilët e kishin sjellë çantën. Me të hapur çantën pronari i agjensionit e ka vërejtur se aty kishte një armë. I njëjti menjëherë ka lajmëruar policinë, me të vërejtur se dëshmitari është duke lajmëruar policinë njëri nga të dyshuarit ka ikur nga vendi i ngjarjes.”

Njësitet relevante të Stacionit Policor Klinë, menjëherë kanë dalë në vendngjarje ku ka arrestuar njërin nga të dyshuarit.

Gjatë kontrollit në çantë janë gjetur dhe sekuestruar:

• Tetë armë pistoleta Zoraki 7.65mm

• Tetë karikator të armëve Zoraki

• Njëmbëdhjetë fishekë kal: 7.65mm dhe

• Dhjetë fishekë 6.35mm

Për rastin është njoftuar prokurori, i njëjti ka urdhëruar që të bëhet kontrolli i shtëpive të personave të dyshuar, pas bastisjes në shtëpitë e të dyshuarve nuk është gjetur diçka e dyshimtë, mirëpo është arrestuar edhe personi i dytë.

Pas intervistimit nga hetuesit, të dyshuarit me vendim të prokurorit dërgohen në mbajtje për 48 orë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *