Statistika shqetësuese: Organizata ETEA thotë se 70% e nxënësve shkojnë në shkollë pa i pasur të gjitha librat

Ndryshimi i mënyrës së financimit të librave për nxënësit, ka krijuar jo pak probleme.

Organizata ETEA me disa matje që ka bërë, ka rezultuar se 70% e nxënësve shkojnë në shkollë pa i pasur të gjitha tekstet shkollore.

Shumica e mësimdhënësve besojnë se ndryshimi i metodës për blerjen e librave, ka pasur efekt negativ.

Komunikata:

Organizata ETEA ka realizuar një matje statistikore gjatë muajit shtator të vitit 2023, për furnizimin me tekstet shkollore tek klasat 1-5 dhe mbarëvajtjen e procesit mësimor në fillimin e vitit shkollor 2022/23, duke marrë tashmë të dhëna konkrete mbi situatën aktuale në shkollat fillore të Kosovës, pas vendimit të MAShTI për të ndryshuar procesin për furnizimin me tekste shkollore.

Për të parë se si qëndron situata në shkollat fillore të Kosovës – klasa 1-5 – me furnizimin me tekste shkollore dhe mbarëvajtjen e procesit mësimor, organizata ETEA, përmes metodës sasiore, ka grumbulluar të dhëna nga 506 respodentë – të gjithë mësimdhënës/e të ciklit 1-5 – prej komunave nga e gjithë Kosova, përjashtuar komunat me shumicë serbe. Komunat me numrin më të madh të anketave janë Prishtina me 23.1% dhe Peja me 14.6%. Në nivel klasash, numri më i lartë i respodentëve janë mësimdhënës/e të klasës së 5-të (23.7%), pasuar nga mësimdhënësit/et e klasës së 3-të me (21.3%). Matjet nga të cilat dalin statistikat në fjalë janë kryer mes datave 14 dhe 22 shtator. Anketimi është kryer në formë elektronike.

Organizata ETEA jua përcjell më poshtë disa prej gjetjeve kyçe nga matjet në fjalë:

Organizata ETEA mëson nga matjet e kryera se një muaj pas fillimit të vitit shkollor 2022/23, 70.6% e nxënësve/eve të Kosovës shkojnë në shkollë pa pasur në dispozicion të gjitha tekstet shkollore.

Mësimdhënësit/et në shumicë prej 52.6% konsiderojnë se vendimi i MAShTI ka pasur ndikim negativ në mbarëvajtjen e procesit mësimor, krahas 14.8% që konsiderojnë se vendimi ka pasur ndikim pozitiv.

Mungesa e teksteve shkollore te fëmijët lidhet me disa arsye, prej të cilave prijnë mungesa e teksteve shkollore nëpër libraritë e qytetit dhe problemet me transferimin e mjeteve financiare përmes platformës eKosova

Lidhur me vendimin e MAShTI për të ndryshuar procesin e furnizimit me tekstet shkollore, 30.4% e mësimdhënësve/eve konsiderojnë se ministria duhet të vazhdojë subvencionimin e prindërve/kujdestarëve/eve për blerjen e teksteve, derisa 69.6% vlerësojnë se MAShTI duhet ta përmbyll këtë proces përmes procedurave të prokurimit.

Nga matjet e ETEA, rajoni i Mitrovicës qëndron më së miri në aspektin e furnizimit të fëmijëve me tekstet shkollore. Komuna e Vushtrrisë prinë me 46.7% të mësimdhënësve/eve nga Vushtrria që thonë se 100% e nxënësve/eve janë të pajisur me libra. Mitrovica numëron 41.2% kurse Skënderaj 40%. Në mesin e komunave me numrin më të mirë qëndron edhe Prishtina – si komunë e dytë – me 44% të mësimdhënësve/eve nga kjo komunë që thonë se 100% e nxënësve/eve në klasat e tyre kanë të gjitha tekstet shkollore.

Sa i përket mbarëvajtjes së procesit mësimor, problemi vërehet dushëm te klasët e para, ku 38.3% e mësimdhënësve/eve deklarojnë se ndjekin plan-programin, por fëmijët kanë hasur në vështirësi, ose 12.7% deklarojnë se nuk e kanë ndjekur fare plan-programin, për arsye të ndryshme.

Në total, 54.5% e mësimdhënësve/eve në Kosovë deklarojnë se kanë probleme të ndjekin plan-programin hap-pas-hapi, me vetëm 45.5 për qind që thonë se kanë punuar rregullisht gjatë kësaj periudhe.

Organizata ETEA në ditët në vazhdim do të ndajë të dhënat edhe përmes rrjeteve sociale, në formë të infografikave, lidhur me situatën aktuale në shkollat fillore, klasat 1-5. Të dhënat më të detajuara për mediat dhe publikun mund t’i gjeni në raportin e bashkangjitur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *