Bllokohet shteti, “Auto Mita” i lë institucionet pa 292 vetura

Institucionet e nivelit qendror dhe lokal në Kosovë kanë mbetur pa vetura. Kjo pasi një kontratë e Agjencisë Qendrore të Prokurimit me kompaninë “Auto Mita”, tashmë ka përfunduar. 

Nga kjo kontratë dymujore e nënshkruar në korrik ishin marrë në shfrytëzim 292 vetura për institucionet e nivelit qendror dhe lokal. Megjithatë, këto vetura tashmë kanë filluar të tërhiqen nga kompania e kontraktuar, pasi kontrata ka përfunduar, shkruan Demokracia.com.

Mbi 290 vetura që ishin përdorur nga institucionet e Kosovës janë kthyer përsëri në kompaninë “Auto Mita”, pasi që tashmë ka përfunduar kontrata dymujore.

Kjo është konfirmuar për Demokracia.com edhe nga kompania “Auto Mita”, pasi që kontrata e nënshkruar para 5 vjetësh ishte vazhduar vetëm për dy muaj.

“Kontrata ishte vazhduar për dy muaj dhe ka përfunduar. Të gjitha veturat që kanë qenë me qira janë duke u tërhequr”, kanë thënë nga “Auto Mita” për Demokracia.com.

Demokracia.com ka mësuar se pa vetura kanë mbetur në masë të madhe disa agjenci, ministri dhe Komuna e Prishtinës, të cilave deri tani u janë marrë veturat nga kompania kontraktuese.

Gjatë muajit korrik, Agjencia Qendrore e Prokurimit ka njoftuar se ka dhënë kontratë për vetura me qira, të cilat do të shfrytëzoheshin prej institucioneve shtetërore.

Pesha e kësaj kontratë ka qenë mbi 164 mijë euro për 292 veturat, shkruan Demokracia.com.

Me qira ishin marrë 119 vetura të tipit “Dacia Sandero” dhe 173 të tipi “Renault Megan”.

Demokracia.com kishte raportuar se kjo agjenci kishte dhënë kontratë 10 mijë e 360 euro më shumë se vlera e parashikuar e kontratës.

Vlera e parashikuar e kësaj kontrate ka qenë 154 mijë euro, ndërsa tenderi i është dhënë kompanisë në shumën prej 164 mijë e 360 mijë euro.

Siç ishte treguar në dosjen e tenderi, veturat kanë qenë në shërbim të dhjetëra institucioneve të nivelit qendror dhe lokal, siç janë ministritë, agjencitë, kuvendet komunale, prokuroritë.

Ndërsa, në shtator, AQP-ja ka njoftuar për një kontratë tjetër. Kësaj radhe për blerjen e veturave për institucione shtetërore.

Megjithatë, nga 15 lote për blerjen e veturave, kjo agjenci ka arritur të nënshkruaj vetëm një lot. Nga vlera e parashikuar e kontratës prej 6 milionë eurove, AQP-ja i dha tenderin për lotin e 13, kompanisë “PORSCHE KOSOVA SH.P.K”, e cila do të përfitojë plot 1 milion e 589 mijë e 750 euro.

Siç bëhet e ditur në dosjen e tenderit, nga loti 13 janë planifikuar të blihen 50 vetura.

Sipas dosjes së tenderit, më shumë vetura do t’i dedikohen Policisë së Kosovës, Forcës së Sigurisë së Kosovës, Këshillit Gjyqësor dhe atij Prokurorial të Kosovës.

Agjencia Qendrore e Prokurorimit gjatë këtyre viteve ka nënshkruar disa kontrata për marrjen e veturave me qira për institucionet shtetërore, të cilat i kushtuan shtetit rreth 7 milionë euro. /Demokracia.com/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *