Emisari amerikan, Gabriel Escobar, në konferencën e fundit për media para lëvizjes drejt angazhimit të ri diplomatik, ka folur edhe për fushatën ndaj tij dhe gruas së tij e bërë nga një i vetë identifikuar si gazetar nga Kosova, i cili përmes një ueb-site ka shpërndarë informacione të pabazuara se Escobar është shkarkuar dhe se gruaja e Escobar ka pranuar fonde nga Qeveria e Serbisë, shkruan Gazeta Express.
Escobar ka thënë se gjithçka që është thënë nga një gazetar i pretenduar është një gënjeshtër. Emisari amerikan ka thënë se s’është shkarkuar nga pozita e tij dhe se gruaja e tij s’ka marrë asnjëherë fonde nga ambasadat me të cilat ka bashkëpunuar.
Gjithashtu Escobar ka demantuar edhe pretendimet se ka lidhje familjare me një avokat në një firmë ligjore amerikane.
“Dhe për dezinformimin që është prodhuar përgjatë vikendit nga një i ashtuquajtur gazetar, që ka thënë se jam shkarkuar apo për lidhje me qeverinë serbe. Dua të them direkt, që gjithçka në atë raportim është një gënjeshtër. Një gënjeshtër lehtë e verifikueshme. Para se gjithash unë s’jam shkarkuar dhe çdo kush në DASH e ka verifikuar. Së dyti, gruaja ime asnjëherë s’ka pranuar para nga asnjë qeveri e huaj. Gruaja në secilën ambasadë për të cilën ka punuar në Bolivi, Portugali, Itali dhe madje edhe në Serbi , e bën në kontakte me njerëzit dhe e bën dhe e bën pa asnjë pagesë dhe pa asnjë kontratë. Ajo do të vazhdojë ta bëjë këtë. Dhe s’kam asnjë lidhje familjare për avokatin e pretenduar në firmën ligjore”, ka thënë Escobar.”