Në takimin e mbajtur të enjten, Departamenti ligjor i Këshillit Gjyqësor të Kosovës bëri të ditur se në Gjykatat e Kosovës aktualisht janë 23 mijë e 196 lëndë përmbarimore të paushallit gjyqësor.
Drejtori i këtij Departamenti, Astrit Hoti, publikoi shifrat e këtyre lëndëve të mbledhura nga të gjitha gjykatat dhe degët e gjykatave në nivel vendi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas tij, Gjykata Themelore në Prishtinë i ka 3 mijë e 282 lëndë të paushallit gjyqësor, Dega në Lipjan 1 mijë e 75, Dega në Graçanicë 128, Dega në Fushë-Kosovë 88, Dega në Drenas 108 dhe Dega në Podujevë, 1 mijë e 471.
Në total Gjykata Themelore në Prishtinë bashkë me degët ka 6 mijë e 152 lëndë të paushallit gjyqësor.
Në anën tjetër, Gjykata Themelore në Gjilan ka 2 mijë e 685 lëndë, Dega në Viti 715 lëndë, Dega në Kamenicë 68 lëndë, Dega në Novobërdë 135 lëndë.
Sipas Hotit, në total Gjykata Themelore në Gjilan bashkë me degët ka 3 mijë e 603 lëndë.
Kurse, Gjykata Themelore në Prizren, Hoti tha se ka 2 mijë e 102 lëndë të paushallit gjyqësor, Dega në Suharekë 1 mijë e 219 dhe ajo në Dragash 291. Në total, Gjykata Themelore në Prizren bashkë me degët, ka 3 mijë e 612 lëndë.
Më tej, ai tha se Gjykata Themelore në Ferizaj ka 3 mijë e 312 lëndë, Dega në Kaçanik 762, Dega në Shtërpcë 100.
Në total, Hoti theksoi se numri i lëndëve të paushallit gjyqësor në Gjykatan Themelore në Ferizaj me degë, është 4 mijë e 174 lëndë.
Ndërsa, Gjykata Themelore në Pejë u tha se ka 852 lëndë, Dega në Deçan 541, Dega në Klinë 142 kurse ajo në Istog 512 lëndë.
Në total, Gjykata Themelore në Pejë bashkë me degët ka 2 mijë e 47 lëndë.
Në anën tjetër, Gjykata Themelore në Gjakovë ka 856 lëndë, Dega në Rahovec 873, Dega në Malishevë 434.
Në total, sipas Hotit në Gjykatën Themelore në Gjakovë bashkë me degët janë 2 mijë e 163 lëndë.
Kurse, Gjykata Themelore në Mitrovicë ai tha se ka 528 lëndë, Dega në Vushtrri 913 dhe Dega në Skenderaj 285.
Në total, Gjyata Themelore në Mitrovicë bashkë me degët u tha se ka 1 mijë e 762 lëndë.
Këto të dhëna, nga zyra ligjore e KGJK-së u tha se u mblodhën nga administratorët e gjykatave përkatëse.
“Pasi që janë njoftuar lidhur me miratimin e planit të veprimit lidhur me ekzekutimin e lëndëve nëpër gjykata, u është kërkuar që të plotësojnë një formular me të dhëna për secilën lëndë e cila ndodhet në procedurë përmbarimore në gjykatën përkatëse, ku në mesin e këtyre lëndëve kanë ekzistuar edhe lëndë përmbarimore të paushallit gjyqsor”, tha Hoti.
Për shkak të numrit të madh të këtyre lëndëve, u kërkua që KGJK të propozojë një vendim për të tërhequr disa lëndë të kësaj natyre, ngjashëm me vendimin e vitit 2017.
Numri i të gjitha lëndëve të paushallit gjyqësor në sistemin gjyqësor rezultoi se është 23 mijë e 196 lëndë.
“KGJK më 8 shtator të vitit 2017 ka nxjerrë një vendim me të cilin ka tërheqë të gjitha propozimet për pëmbarim ku kreditorë kanë qenë gjykatat, në lëndët e të gjitha procedurave në të cilat kërkesat për përmbarim kanë pas të bëjnë me taksa gjyqësore dhe shpenzimet e paushallit gjyqësor në vlerë deri 50 euro ose më pak, të parashtruara nga ato gjykata deri para datës 31 dhjetor 2016”, tha Hoti.
Ai tha se këtë rekomandim e bëjnë duke marrë parasysh ngarkesën në gjykata.
“Duke marrë parasyshë gjendjen e krijuar në gjykata me lëndë të kësaj natyre të cilat reflektojnë jashtëzakonisht shumë në ngarkesën e përgjithshme të lëndëve, japim këtë rekomandim që KGJK të nxjerrë një vendim për tërheqjen e të gjitha propozimet për përmbarim, ku kreditorë kanë qenë gjykatat, lidhur me shpenzimet e paushallit gjyqësor në vlerën dhe periudhën kohore që KGJK e vlerëson të arsyshme”, përfundoi Hoti.
Albert Zogaj, kryesues i Këshillit Gjyqsor të Kosovës tha se do të shyrtohet kjo kërkesë, meqë vendimi i 2017-ës ishte i suksesshëm.
“Veprimi i Këshillit në vitin 2017 siç duket ka qenë një veprim i mirë, sepse i ka hapur rrugë fokusit të gjykatës në çështjet ku mund të realizohet shumë e paushallit gjyqësor apo shpenzimeve gjyqsore, dicçka që ka dalë si rekomandim edhe nga Asambleja e kryetarëve të Këshillit aktual”, tha Zogaj.
Ai tha se pas vlerësimeve ndoshta do të ishte e arsyeshme që përsëri të ketë një vendim të ngjashëm, por të justifikuar gjithmonë për rastet ku ka marrë gjykata veprime dhe nuk ka pasir mundësi të realizojë shumën e paushallit gjyqësor.
“Në qoftë se do të kemi një vendim të KGJK-së për tërheqjen e propozimeve nga rastet e paushallit gjyqësor, gjithmonë duhet të kemi vëmendje që gjykatat mund ta bëjnë këtë, vetëm në qoftë se në çdo dosje, në çdo rast, ka veprime për zbatimin e vendimit sa i përket paushallit gjyqësor”, përfundoi ai.