Arsyetimi i Themelores për parashkrimin absolut të veprave penale të Sveçlës dhe të tjerëve

Gjykata Themelore në Prishtinë ka nxjerrë tri vendime përmes të cilave ka konstatuar parashkrimin absolut të ndjekjes penale ndaj ministrit të Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, kryetarit të Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, si dhe ndaj Arsim Maqastenës, Pajtim Havollit, Agron Kabashit, Egzon Azemit, Pajtim Demajt, Frashër Krasniqit, Nol Nushit, Bekim Shkodrës, Afrim Hoxhës dhe Sami Avdiut, të cilët akuzoheshin për huliganizëm gjatë protestës së Vetëvendosjes më 2013.

Lidhur me këtë çështje penale, gjykatësi Eroll Gashi fillimisht ka nxjerrë tri aktvendime për veçim të procedurës, me ç’rast ndaj 13 të akuzuarve lënda është ndarë në tri grupe, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në arsyetimin e aktgjykimit të Themelores të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se ndarja e kësaj çështjeje në tri grupe ka ardhur pasi që në çdo shqyrtim fillestar të caktuar nga gjykata ka pasur mungesa të të akuzuarve edhe pse gjykata kishte tentuar t’i sigurojë në tërësi si grup edhe përmes fletarrestit dhe urdhëresave për sjellje me forcë.

Pra, gjykata përmes aktvendimit të marrë më 3 korrik 2023 ka hudhur poshtë aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë ndaj Xhelal Sveçlës, Dardan Molliqajt, Arsim Maqastenës, Pajtim Havollit, Agron Kabashit, Frashër Krasniqit dhe Nol Nushit.

Në arsyetimin e vendimit, Themelorja sqaron se edhe pse ka tentuar mbajtjen e shqyrtimeve fillestare, nëpër të njëjtat ka pasur mungesa të të akuzuarve, kësisoj nuk janë krijuar kushtet për mbajtjen e këtyre shqyrtimeve.

Gjykata konstaton se lidhur me veprën penale me të cilën ngarkoheshin Sveçla, Molliqaj, Maqastena, Havolli, Kabashi, Krasniqi dhe Nushi, ka arritur parashkrimi absolut pasi që nuk është arritur të gjykohen veprimet e tyre edhe pas 10 vitesh, periudhë kjo kur arrihet parashikimi absolut.

Tutje, Gjykata ka vijuar me nxjerrjen e aktvendimit të dytë më 3 korrik të këtij viti ndaj të akuzuarve Egzon Azemi, Pajtim Demaj dhe Afrim Hoxha, duke hudhur poshtë aktakuzën e Prokurorisë dhe duke pushuar procedurën penale ndaj të njëjtëve.

Sipas Gjykatës, deri të ky aktvendim ka ardhur pasi që ndaj Azemit, Demajt dhe Hoxhës, është arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale pasi që kanë 10 vite nga koha kur është kryer vepra penale.

Në aktvendimin e saj, Gjykata ka sqaruar se për këtë çështje penale radhazi në çdo shqyrtim fillestar të caktuar ka pasur mungesa të të akuzuarve, duke dështuar të mbahen kështu në total 7 shqyrtime fillestare.

Azemi, Demaj dhe Hoxha akuzoheshin për veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepra penale dhe huliganizëm”.

Ndërkaq, Gjykata për të akuzuarit Bekim Shkodra dhe Sami Avdiu, përmes aktgjykimit të përpiluar më 28 qershor 2023, ka konstatuar se është arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale pasi që kanë kaluar 10 vite nga data kryerjes së veprës penale, andaj është refuzuar akuza.

Shkodra akuzohej për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare” dhe Avdiu për veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepra penale dhe huliganizëm”.

Në aktgjykimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se procesi gjyqësor ndaj Shkodrës dhe Avdiut ishte veçuar më 1 gusht 2022 dhe prej asaj kohe gjykata ka caktuar dhe mbajtur 8 shqyrtime gjyqësore.

Gjithashtu, pasi ishte bërë veçimi i procedurës penale ndaj Besnik Qelajt, Bekim Shkodrës dhe Sami Avdiut. Qelaj dhe Shkodra lidhur me akuzën për veprën penale  “Pjesëmarrje në turmë që kryen vepra penale dhe huliganizëm” ishin gjykuar me 1 vit e gjysmë burgim. Ndërsa, për të akuzuarin Sami Avdiu për veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepra penale dhe huliganizmi” dhe për të akuzuarin Bekim Shkodra për veprën penale të “Sulmit ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”, do të mbahej gjykim i veçantë.

Lidhur me rastin ndaj ministrit Sveçla dhe të tjerëve, “Betimi për Drejtësi” më 24 qershor 2023 kishte raportuar se si gjykata dhe gjyqtari i çështjes Eroll Gashi kishin dështuar në gjykimin e këtij rasti penal për faktin se ishte arritur parashkrimi absolut i veprave penale me të cilat ngarkoheshin të akuzuarit.

Ndryshe, në seancën e datës 3 shkurt të vitit 2022 pasi që seanca kishte dështuar në mungesë të të akuzuarit Xhelal Sveçla dhe Agron Kabashi, gjykatësi i rasti kishte lëshuar urdhëresë për sjellje me forcë pasi që kishte prova se të njëjtit ishin të ftuar në mënyrë të rregullt por nuk ishin paraqitur nç gjykim.

Në lidhje me lëshimin e kësaj urdhërese, gjykatësi i rastit kishte reaguar nëpër mediat tjera online me pretendimin se nuk ishte lëshuar një urdhëresë e tillë, mirëpo redaksia  e “Betimit për Drejtësi” përmes procverbalit dhe audioincizimit vërtetonte se për të akuzuarit që janë ftuar me rregull dhe nuk prezentojnë në seancë, do të lëshonte një urdhëresë të tillë.

“Palët të cilat janë ftuar në mënyrë të rregullt dhe nuk janë prezantuar në seancë, gjykata do të lëshojë urdhëresë për sjellje me detyrim”, thuhej në procesverbalin e seancës.

Në lidhje me këtë çështje përmes emisionit të 266-të “Betimi për Drejtësi” e kishte sqaruar në detaje çështjen e lëshimit apo jo të urdhëresës për sjellje me forcë të ministrit Sveçla.

Në aktakuzën e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, e ngritur në mars të vitit 2014, rezulton se të akuzuar për këtë vepër penale krahas ministri Sveçla ishin edhe Dardan Molliqaj, Arsim Maqastena, Pajtim Havolli, Agron Kabashi, Egzon Azemi, Pajtim Demaj, Frashër Krasniqi, Nol Nushi, Bekim Shkodra, Afrim Hoxha, Sami Avdiu dhe Besnik Qelaj.

Sipas aktakuzës së ngritur në mars të 2014-ës, Dardan Molliqaj, Arsim Maqastena, Pajtim Havolli, Agron Kabashi, Egzon Azemi, Pajtim Demaj, Xhelal Sveçla, Frashër Krasniqi, Nol Nushi, Bekim Shkodra, Afrim Hoxha, Sami Avdiu dhe Besnik Qelaj thuhet se më 27 qershor 2013 në rrugën “Nëna Terezë” në Prishtinë, gjatë protestës me qëllim të dëmtimit të personave zyrtarë-pjesëtarëve të Policisë së Kosovës kanë kryer veprime të dhunshme huligane.

Gjithnjë sipas kësaj aktakuze, Sveçla dhe të akuzuarit e tjerë ngarkoheshin se gjatë kësaj proteste kanë hedhur gurë, ngjyrë, sfera të qelqit, shishe, mjete piroteknike në drejtim të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, ku si pasojë e këtyre veprimeve, lëndime të lehta trupore kanë pësuar policët-të dëmtuarit Rifat Geci, Halil Syla, Agim Xheli dhe Bashkim Hyseni.

Sipas prokurorisë, gjatë kësaj proteste janë shkaktuar edhe dëme materiale ku janë dëmtuar uniformat dhe pajisjet zyrtare të zyrtarëve policorë gjatë ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike e po ashtu i kanë dëmtuar dy vetura, pronë e Qeverisë së Kosovës dhe dy vetura pronë të Policisë së Kosovës, duke shkaktuar kështu pasoja të rënda.

Me këto veprime, Prokuroria i ngarkonte të akuzuarit se secili veç e veç ka kryer veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepra penale dhe huliganizmi” nga neni 412, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 4 të Kodit Penal, vepër kjo për të cilën dënimi parashihet me gjobë prej 200 deri 10 mijë euro për huliganizëm me pasoja të vogla ose me burgim deri në pesë 5 vjet për huliganizëm me pasoja të rënda.

Ndërsa dispozitivi i dytë i kësaj aktakuze, Bekim Shkodrën e ngarkonte edhe për veprën penale të “Sulmit ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare” nga neni 410, paragrafi 2 të Kodit Penal, vepër kjo për të cilën kryerësi dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet./BetimipërDrejtësi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *