Protesta e peticioni nuk ndryshoi asgjë, komuna mbyll rrugën “Rexhep Luci”

Banorët e rrugës “Rexhep Luci” në Prishtinë janë shprehur kundër vendimit të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, që kjo rrugë të shndërrohet në shesh. Ndonëse u protestua e u mblodhën peticione, vendimi ka hyrë në fuqi të premten.

Kundër këtij vendimi ka dalë edhe asambleisti i Aleancës Kosova e Re (AKR), Gzim Mehmeti.

Sadudin Hasani, udhëheqës i bashkësisë lokale, ka deklaruar për Ekonomia Online, se disa banorë kanë qenë pro e disa kundër.

“Këtu janë disa vendparkingje, mundem me thënë 20 vend parkingje që parkohen, ato si mbas planit të ri të komunës, sipas projektit  që rrugën ‘Rexhep Luci’ me e shëndrru në shesh, ato parkingje do të shndërrohen, ana e djathtë në rrugën ‘Simon Shiroka’, ana e mbajt në rrugën ‘Hajdar Dushi’, janë dy peticione, një është që disa banor kundër që rruga me u bo shesh, banorët tjerë janë që e preferojnë që rruga të bëhet shesh”, u shpreh ai.

“Ne si bashkësi lokale e shohim interesin sa i përket sigurisë, neve në interes tonin janë të ndërrohen gypat e ujësjellësit, kanalizimit se ato janë bukur të vjetra, mundem me të thënë që ndërtesat veç ekzistojnë para vitit 1970 kuptohet aty edhe sa vjeçar mund të jenë ata, kërkesat tjera lidhur me lagjen është që, për parkingje mos të dëmtohen banorët e rrugës ‘Hajdar Dushi’ dhe banorët e ‘Simos Shirokës’, mirëpo projektin që e ka bërë komuna e ka parapa që nuk do të ketë mbingarkesë të këtyre parkingjeve nga veturat e banorëve të rrugës ‘Rexhep Luci’, ashtu na është thënë neve”, ka deklaruar ai.

Të gabuar këtë vendim të autoriteteve lokale, e ka parë edhe asamblesti i Aleancës Kosova e Re (AKR), Gzim Mehmeti.

Ai ka thënë se ankesat e qytetarëve do duhej që të përkrahen, pasi sipas tij pamundësohet lëvizja e lirë.

“Çështja e mbylljeve të rrugëve unë mendoj se kjo është sipërfaqësor, është një vendim i cili nuk është i qëlluar aspak, për arsye sepse çdo vendim që merret nga ekzekutivi i qytetit duhet të ju lehtësoj qasje për qytetarët. Duhet të ju mundësohet një lëvizje, në këtë rast mbylljet pa një studim të fizibilitetit, mbylljet e rrugëve pa krijuar alternativ janë problematike. Ankesat e qytetarëve në këtë rast duhet që të përkrahen për arsye se është duke ju pamundësuar lëvizjen e lirë”, ka thënë ai.

Mehmeti ka thënë se reagimet e qytetarëve janë të duhura dhe se rrugët nuk duhet të mbyllen pa krijuar një alternativë për banorët.

“Prishtina ka një shesh i cili është duke marr në krahasim me pjesën urbane është i gjatë 732 metra, pjesa prej Kuvendit të Kosovës deri të Grandi dhe ka me mijëra metra katror që janë të mbyllura dhe që mund të shfrytëzohen për çdo aktivitet. Tash me fillua që me i mbyll të gjitha rrugët në qendër pa alternativë dhe pa iu mundësuar një qasje të duhur qytetarëve janë mendime jo të mira dhe janë mendime sipërfaqësore vetëm për marketing, për këtë edhe reagimet e qytetarëve janë të duhura”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *