Policia e Kosovës ka njoftuar për vrasjen që tronditi Prizrenin dje, ku mbet i vdekur Beqir Morina, 48 vjeç. Ndërsa i dyshuari është Aziz Gashi.
Përmes raportit 24 orësh, policia ka thënë se i dyshuari ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës pas një mosmarrëveshje që kishte me të.
Për kapjen e të dyshuarit, njësitet policore kanë kryer disa bastisje në lokacione të ndryshme, mirëpo i dyshuari nuk është kapur ende.
“Prizren 03.09.2023-18:45. Dyshohet se i dyshuari mashkull kosovar pas një mosmarrëveshje që kishte pasur me viktimën mashkull kosovar, ka shtënë me armë zjarri në drejtim të tij. Si pasojë e plagëve të marra viktima ka ndërruar jetë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, prokurori kujdestar dhe ekipi mjekësor i cili ka konstatuar vdekjen e viktimës. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion, ndërsa njësitet policore kanë kryer disa bastisje në lokacione të ndryshme në kërkim të vendndodhjes së dyshuarit i cili është në kërkim policor. Lidhur me rastin janë duke u kryer hetime intensive”, thuhet në raport.
Gjithçka dyshohet se ndodhi pak para orës 19:00, kur u dëgjuan disa krisma armësh nga një veturë në lëvizje. I dyshuari Gashi, i cili është nga fshati Sferkë i Klinës dyshohet se gjuajti shtatë herë në drejtim të viktimës, të cilin e la të vdekur në vend.