Punëtorë nga Bangladeshi ia mësyjnë Kosovës, Sindikata s’e sheh si zgjidhje

Kosova ka kohë që po përballet me ikjen e fuqisë punëtore. E kjo mungesë ka nisur të plotësohet me angazhimin e punëtorëve nga Azia, sidomos nga shteti i Bangladeshit. Nga Sindikata e Punëtorëve të Sektorit Privat thonë se kjo nuk është zgjidhje, meqë Kosova nuk është destinacioni i tyre final, e pronarë të firmave theksojnë se janë të shtyrë t’i angazhojnë në mungesë të fuqisë punëtore vendase. Këtë vit, Ministria e Brendshme ka lëshuar 106 leje pune për shtetas të këtij vendi

Një foto që shpërndau në Facebook mori shumë reagime. I riu nga Bangladeshi, Fahad Boksh, para tri javësh erdhi në Kosovë nga Franca, për të vizituar disa bashkëvendës të tij që tash e një kohë janë të angazhuar në kompani të ndryshme.

Ai ka treguar se i pëlqeu shumë Kosova.

“Mua më pëlqen Kosova, isha në vizitë para disa javësh te shokët e mi. Atje kam pesë shokë që punojnë në një kompani ndërtimi, ata më thanë se po i pëlqen shumë Kosova dhe njerëzit po i presin mirë”, ka thënë Boksh.

E një tjetër bashkëvendës i Fahadit, Mehedi Tutul, i cili jeton në kryeqytetin e Bangladeshit, Daka, pret aprovimin e vizës për t’u angazhuar në një kompani ndërtimi në Kosovë.

“Unë dua që të vij dhe të punoj në Kosovë, jam njeri shumë punëtor. Unë dua të vendosem në Kosovë, për të ardhmen time, dua ta marr edhe familjen, të punoj atje. Kosova është një vend më i zhvilluar se Bangladeshi”, ka thënë Mehedi Tutul.

28-vjeçari shtoi se nëse planet shkojnë siç mendon, atëherë në të ardhmen do ta marrë edhe familjen me vete.

Sipas të dhënave të Bankës Botërore, paga mesatare në shtetin e Azisë Jugore, është rreth 150 euro neto.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, nuk e sheh si zgjidhje angazhimin e punëtorëve nga Azia. Sipas tij, Kosova nuk shihet nga ta si destinacion final.

“Pjesa më e madhe e këtyre personave janë të adaptuar te ndërtimtaria dhe gastronomia. Por, megjithatë nuk po qëndrojnë gjatë. Unë kam dalë vetë dhe kam verifikuar këta punëtorë, por assesi nuk mund të japin një kapacitet të punës për shkak se mungon gjuha dhe kultura, por mungon edhe profili i atyre punëtorëve për të cilët Kosova ka nevojë”, është shprehur Azemi.

Ai thotë se deri tani janë qindra punëtorë të angazhuar nga vendi i Azisë Jugore.

“Kemi informacione që janë rreth 500 punëtorë, të ardhur kryesisht nga Bangladeshi, të cilët kanë filluar të punojnë këtu, por megjithatë kemi informacione se këta punëtor nuk po qëndrojnë gjatë dhe Kosovën po e trajtojnë si ikje ose si transfer, për në vendet perëndimore”, ka thënë Azemi.

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme kanë thënë se gjatë periudhës janar-shtator të këtij viti, janë lëshuar 106 leje qëndrimi për qëllime pune vetëm për shtetas të Bangladeshit. 13 leje punë janë lëshuar për banorë të Nepalit, por ka edhe të vendeve të tjera.

Në Facebook janë hapur disa grupe ky qytetarë të shumtë të shtetit në Azinë Jugore kanë publikuar garancinë për viza e kontrata pune nga Kosova. Në një kontratë që e ka siguruar KOHA, thuhet se një firmë nga Skenderaj, e cila merret me prodhim, ka angazhuar një punëtor nga Bangladeshi me pagë 420 euro në muaj. E, në një garanci të një kompanie ndërtimi në Podujevë, thuhet se M.A. nga Bangladeshi, në Kosovë do të ketë të siguruar edhe sigurimin shëndetësor, fjetjen dhe ushqimin.

“Qëllimi i garancionit dhe ardhjes së tij në Kosovë, është plotësisht për qëllime ekonomike, pasi që mua më duhen shumë punëtorë në ndërtimtari. Meqenëse në Kosovë ka mungesë të fuqisë punëtore e posaçërisht punëtorë profesionist në lëmin e ndërtimtarisë, Republika Popullore e Bangladeshit ka fuqi punëtore për punët e ndërtimtarisë, e po ashtu edhe kanë punëtorë profesionistë në këtë lëmë”, thuhet në këtë garanci.

KOHA ka biseduar me disa pronarë të kompanive të interesuara për punonjës nga ky vend. Ata nuk kanë pranuar të flasin para kamerës, por kanë thënë se nevoja për punëtorë po i shtyn të kërkojnë alternativa jashtë vendit.

D.G., udhëheqës i një biznesi të ndërtimtarisë, ka treguar se si po i pret 38 punëtorë t’i vijnë deri në fund të vitit, e për vitin tjetër po e shqyrton mundësinë t’i marrë edhe 100.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *