Komuna e Malishevës ka njoftuar se 215 persona kanë kërkuar trajtim nën dyshimin e helmimit në një ‘Fast Food’. Gjatë ditës u raportua se ishin 205.
Në njoftimin e kësaj komune, thuhet se situata po shkon drejt normalizimit.
“Situata e përgjithshme nga helmimi i dyshuar nga ushqimi, gjatë pasditës së sotme ka filluar të shkoj drejt normalizimit, por pavarësisht kësaj, monitorimi dhe kujdesi i shtuar do të vazhdoj nga ana e personelit së Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Malishevë dhe organeve tjera kompetente”, thuhet në njoftim
“Po ashtu sipas të dhënave nga ana QKMF-së në Malishevë, deri më tani, 215 persona kanë kërkuar ndihmë dhe shërbime shëndetësore, si pasojë e dyshimit të helmimit”, vijon njoftimi.
Gjykata Themelore në Gjakovë ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji pronarit të këtij ‘fast-food’ ku u helmuan 215 qytetarë.
Një gjë të tillë e bëri të ditur për Insajderin zëdhënësi i Gjykatës Themelore të Gjakovës, Lekë Muqaj, i cili ka thënë se K.Sh. dyshohet për veprën penale “prodhim dhe vënie në qarkullim të artikujve të dëmshëm ushqimor”.
Masa e paraburgimit të dyshuarit do t’i llogaritet nga 13 tetori.