Serwer: BE-ja është bërë kundërshtare e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës

Eksperti amerikan dhe njohësi i çështjeve të Ballkanit, Daniel Serwer, është treguar kritik për qasjen e njëanshme të Bashkimit Evropian ndaj çështjes së Kosovës.

Serwer, duke iu referuar deklaratave të fundit të zëdhënësit të BE-së lidhur me sulmin terrorist serb në veri të Kosovës, ka akuzuar BE-në se është bërë kundërshtare e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës dhe se dëshiron të kufizojë dislokimin e policisë [në veri].

“BE-ja është bërë de facto kundërshtare e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Ajo dëshiron të kufizojë dislokimet e policisë në përgjigje të një kërcënimi të qartë dhe aktual, si dhe të krijojë një strukturë të veçantë qeverisëse për popullatën serbe, të paktën në veri”, ka shkruar Serwer në faqen Peacefere.net në “X”.

Më tej profesori i Universitetit amerikan “John Hopkins”, ka shkruar se “SHBA-të po mbështesin BE-në në të dyja këto synime, ndërsa mohojnë se do të lejojnë arritjen e objektivit të fundit”.

“Por as BE dhe as SHBA nuk kanë treguar ndonjë vullnet për të bllokuar ambiciet e Serbisë, siç tregohet nga dështimi për të reaguar ndaj tentativës së kryengritjes së Beogradit”, ka shkruar Serwer.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, të martën ka folur lidhur me masat e mundshme ndaj Serbisë pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, duke thënë se BE-ja po pret rezultatet e hetimit për rastin.

“Presim rezultatet e plota të hetimeve. Kur të jenë përfunduar hetimet dhe të kemi rezultatet që do t’i shoh BE-ja ne do ta kemi pamjen e qartë se çfarë ndodhi, kush qëndron prapa dhe atëherë BE-ja do të vendos për hapat e mëtejmë”, tha Stano në një konferencë shtypi.

Më tej ai ka thënë se “BE-ja ishte e qartë derisa ka përshkallëzim ose deri sa të ketë më shumë eskalim jemi të gatshëm që të vendosim masa të caktuara si përgjigje ndaj kësaj”.

“Disa nga masat janë vendosur tashmë. Ne jemi gjithashtu të gatshëm kur vendet anëtare të pajtohen që t’i konsiderojmë masat jo vetëm ndaj Kosovës, por gjithashtu edhe ndaj Serbisë. Këto masa janë fleksibile. Ato mund të hiqen, mund të reduktohen në të njëjtën mënyrë siç mund të vendosen kur vendet anëtare të shohin se ka nevojë për to. Në këtë fazë ne kemi nevojë të shohim. E para, hapa drejt shtendosjes kuptimplote, kthim në dialog dhe kur bëhet fjalë për ngjarjet e 24 shtatorit hetime të plota dhe përfundimtare”, tha ai. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *