Zjarrfikësit përjashtohen nga kompensimi, Beka: Turp për ministrin Murati, vendim denigrues

Punëtorëve të sektorit publik që punojnë si kujdestar, punën gjatë natës dhe jashtë orarit të punës i është ngritur tavani i kompensimeve.

Ky vendim është marrë nga Ministria e Financave, ndërsa është siguruar nga Paparaci.

Por, i njëjti do të vlejë vetëm për tre muaj, pra muajin tetor, nëntor dhe dhjetor, shkruan Front Online.

Ndërsa, në këtë vendim nuk janë të përfshirë të gjithë punëtorët e sektorit publik.

Këtu përfshihen, punonjësit në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Policinë e Kosovës, Ministrinë e Shëndetësisë, ATK, Doganën, Inspektoratin Policor të Kosovës dhe Shërbimin Korrektues.

Këtij vendimi po i mungojnë edhe kategoria e zjarrfikësve.

MF-ja nuk i ka përfshirë në ngritjen e tavanit për kompensim.

Lidhur me këtë çështje, ka reaguar ashpër kreu i Sindikatës së Zjarrfikësve, Muharrem Beka.

Beka për Front Online vendimin e ministrit Muratit e ka quajtur denigrues e përbuzës.

Kreu i Zjarrfikësve ka paralajmëruar protestë nga kjo kategori.

 “Jemi shokuar nga ky vendim turp o trup, është neglizhencë mos interesim për zjarrfikësit. Këta janë në gjendje të mjerueshme. Zjarrfikësit kanë reaguar shumë ashpër dhe kanë paralajmëruar edhe protesta se e kanë humbur durimin”.

Sipas Bekës, për institucionet e vendit nuk ekzistojnë zjarrfikësit.

“Shtrohet pyetja për institucionet tona, se a ka zjarrfikës në këtë vend dhe a interesohet ndokush për ta, është vendim denigrues e përbuzës për këtë kategori”, u shpreh Beka.

Beka ka hedhur akuza edhe te Qeveria ‘Kurti’.

Ai thotë se zjarrfikësit janë mbetur në mëshirën e askujt.

“Si është e mundur që të gjitha kategoritë të përfshihen e zjarrfikësit jo, këta kanë edhe obligime nga 2022 të pa përfunduara, pa pajisje e shumë probleme të ndryshme e kategori shumë e rrezikuar janë mbetur në mëshirën e askujt. Kjo Qeveri nuk është e interesuar t’i zgjedh problemet”, përfundoi Beka.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *