Lista Serbe akuzon Kurtin: Pse s’mori pjesë EULEX-i në operacion, por policia e tij?

Lista Serbe ka hedhur kritika dhe akuza ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për ngjarjet që kanë ndodhur të dielën në Banjskë të Zveçanit, ku nga strukturat kriminale u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

“Në emër të Listës Serbe dhe të gjithë popullit serb nga Kosova shprehim ngushëllimet tona më të thella familjeve të serbëve të ndjerë dhe policit shqiptar të Kosovës në ngjarjen tragjike të djeshme në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit”, tha Lista Serbe në Facebook.

“Po ashtu, themi se do të kërkojmë hetim për vrasjen e së paku dy serbëve të vrarë gjakftohtë edhe pse janë dorëzuar. E pyesim bashkësinë ndërkombëtare pse EULEX-i nuk mori pjesë në operacion, por vetëm policia e Kurtit?. Ne i bëjmë thirrje të gjithëve për paqe dhe vetëpërmbajtje, sepse është e nevojshme që sa më parë të rivendoset paqja në rrugët tona, në këtë kuptim ne kemi nevojë urgjente që KFOR-i dhe EULEX-i të vendosen në veri dhe të parandalojnë përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës dhe të parandalojnë politikën ta shpërdorojë këtë ngjarje tragjike”, thuhet në reagimin e tyre.

LS-ja shkruan se prej më shumë se një viti kanë paralajmëruar që “regjimi në Prishtinë po ushtron presion mbi serbët dhe çdo ditë po përshkallëzon situatën dhe po provokon reagimin e popullit”.

“Panumërt kërkuam nga KFOR-i që të ngrejë forcat e veta dhe të veprojë në mënyrë parandaluese, kërkuam nga bashkësia ndërkombëtare që ta frenonte Kurtin, gjithmonë bënim thirrje për paqe… por më kot. Fatkeqësisht, ndodhi ajo që dëshiroi Kurti”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *