Një familje në Shirokë të Suharekës u ka ndodhur një rast tronditës, kjo pasi djali i tyre 14-vjeçar dyshohet se është keqtrajtuar seksualisht nga një person i moshës 22-vjeçare. Ngjarja dyshohet se ka ndodhur para dy ditësh, por tek dje është raportuar në Polici, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë të ditur se rasti është raportuar në Polici nga nëna e të miturit, e cila ka deklaruar se i dyshuari që tentoi t’ia dhunojë të birin është person i njohur për familjen e saj. Ky rast e ka shokuar atë prandaj ka kërkuar ndihmë nga Policia.
Si rezultat i denoncimit, njësitet policore janë vënë menjëherë në veprim dhe kanë nisur kërkimet për ta kapur të dyshuarin. Ai u arrestua në mbrëmje dhe u shoqërua në stacion policor për t’u intervistuar në lidhje me rastin.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe kanë nisur hetimet për mbledhjen e provave që dëshmojnë se i ndaluari ka abuzuar seksualisht me fëmijën 14-vjeçar.