Një grua 46-vjeçare, me origjinë moldave, por banuese prej vitesh në Rimini, përfundoi në arrest shtëpie pasi tentoi të helmonte me helm miu bashkëshortin e saj, shqiptar 54-vjeçar. Prokuroria Publike kërkoi gjykim të menjëhershëm për gruan.
Sipas prokurorisë, 46-vjeçarja ka tentuar të vrasë bashkëshortin duke përzier në ushqim helmin e miut.
Shqiptari shpesh përfundonte në spital me dhimbje torturuese. Dyshimet e mjekëve lindën vitin e kaluar, kur burri u shtrua në spital duke shfaqur simptoma që përputheshin me dyshimet se ai ishte helmuar.
Nga analizat u zbulua se në trupin e shqiptarit kishte elementë të Bromadiolone dhe Coumatetralyl, substanca kimike që janë të përfshira në helmin e minjve. Pas këtij zbulimi nisi dhe hetimi.
Pasi kontrolluan shtëpinë e çiftit, policia gjeti një shiringë me një substancë të panjohur të kuqërremtë në sirtarin e garderobës së dhomës së gjumit.
Analiza teknike e urdhëruar nga Prokuroria konstatoi se lëngu ishte bromadiolon. Gruaja nuk ishte në gjendje t’u shpjegonte kurrë hetuesve se si helmi i miut përfundoi në ushqimin e burrit të saj. Ndaj 46-vjeçares u vërtetuan akuzat dhe u arrestua. Ajo u la në ‘arrest shtëpie’, ndërsa është në pritje të gjykimit.