Ministrja Nagavci në darkë me rektorin e kolegjit privat të dyshuar për ryshfet 100 mijë €

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe zyrtarë të lartë të agjencive shtetërore të akreditimit kanë darkuar me rektorin e Kolegjit Privat “Rezonanca”, Arian Idrizaj, në fund të muajit shtator të këtij viti, tregon një fotografi e publikuar në rrjetin social Facebook.

Idrizaj, i dyshuar për dhënie të ryshfetit në rastin ‘Brezovica 3’, është ftuar në darkë nga Agjencia Kosovare e Akreditimit (AKA), bazuar në postimin e rektorit në Facebook.

Postimi tregon një fotografi në të cilën darkojnë Idrizaj, në cilësinë e rektorit të kolegjit Rezonanca, ministrja Arbëria Nagavci dhe Naim Gashi, drejtor i Agjencisë Kosovare për Akreditim (AKA) dhe Hasnije Ilazi, kryetare e Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC).

“Darka përshëndetëse e organizuar nga Agjencia Kosovare e Akreditimit! Shume faleminderit”, shkroi ai në mbishkrimin e fotografisë.

Idrizaj në darkë me ministren Arbërie Nagavci dhe zyrtarë të tjerë shtetërorë/ Foto: Facebook

Biznesmeni nga Prishtina, Arian Idrizaj, ishte arrestuar në mars të vitit 2023 nën dyshimin për përfshirje në aferën “Brezovica”.

Disa ditë më vonë, ai ishte liruar nga mbajtja pasi kishte pranuar të bashkëpunojë me Prokurorinë e Shtetit, kishte raportuar Paparaci.

Idrizaj, ndodhej në mesin e tetë të arrestuarve nën dyshimin për dhënie ryshfeti për ndërtimet ilegale në Parkun Kombëtar të Sharrit.

Në mesin e të arrestuarve është edhe Arian Idrizaj, i cili sot doli para Gjykatës në Ferizaj.

Sipas dosjes së Prokurorisë, Idrizaj dyshohet se që nga viti 2014 deri në vitin 2018, në Shtërpcë, si person përgjegjës i personit juridik N.SH. “Rezonanca” me seli në Prishtinë, i ka dhënë 100 mijë euro të pandehurit, ish-kryetarit të Shtërpcës, Bratislav Nikoliq.

Ryshfetin ia ka dhënë me qëllim që t’i mundësojë marrjen e lejes së ndërtimit për objektin rehabilitues “Rezonanca” të cilin pastaj e ka shndërruar në objekt hotelier, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *