“Shqetësime të reja për stabilitetin në Kosovë”, Reuters: NATO po kërkon shtim të përhershëm të trupave

Agjencia ndërkombëtare e lajmeve, Reuters ka shkruar për deklaratën e shefit të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili tha dje në Prishtinë se Aleanca po e shqyrton shtimin e përhershëm të pranisë ushtarake në Kosovë pas ngjarjeve të fundit.

NATO po kërkon një shtim më të përhershëm të numrit të trupave në Ballkanin Perëndimor për t’i mbajtur nën kontroll tensionet, tha të hënën Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, shkruan Reuters.

Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut dërgoi qindra forca shtesë në Kosovë nga Britania dhe Rumania pas një beteje mes policisë dhe serbëve të armatosur të strehuar në një manastir, duke e kthyer një fshat të qetë në veri të Kosovës në një zonë lufte më 24 shtator.

“Tani po shqyrtojmë nëse duhet të kemi një shtim të përhershme për të siguruar që kjo të mos dalë jashtë kontrollit dhe të krijojë një konflikt të ri të dhunshëm në Kosovë apo në rajon më gjerë”, iu tha Stoltenberg gazetarëve gjatë një vizite në Kosovë.

Përleshja me armë në shtator shkaktoi shqetësime të reja ndërkombëtare për stabilitetin në Kosovë, e cila ka një shumicë etnike shqiptare dhe shpalli pavarësinë nga Serbia në 2008 pas një kryengritjeje guerile dhe një ndërhyrjeje të NATO-s në vitin 1999, shkruan Reuters.

Rreth 50,000 serbë që jetojnë në veri të Kosovës nuk i njohin institucionet e Prishtinës dhe e shohin Beogradin si kryeqytetin e tyre. Ata janë përplasur shpesh me policinë e Kosovës dhe paqeruajtësit ndërkombëtarë, por dhuna në shtator ishte më e keqja në vite.

Misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, i cili ka qenë në detyrë që nga viti 1999, përfshin mbi 4,500 trupa nga 27 vende.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *