Sulmi në Banjskë| A duhet të rikthehet Kosova në dialog pa u ndëshkuar Serbia?

Institucionet e Kosovës po hezitojnë të rikthehen në procesin e dialogut të Brukselit pa ndëshkimin e Serbisë. Liderët institucionalë po kërkojnë nga BE-ja që fillimisht Serbia sanksionohet për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit dhe më pas të flitet për procesin e dialogut.

Në këtë mënyrë, Kosova duket që po e kushtëzon rikthimi në tavolinën e bisedimeve të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Kjo qasje e Qeverisë së Kosovës po shihet në mënyra të ndryshme. Disa e mbështesin qeverinë, kurse disa janë kundër kushtëzimeve.

Ish-kryenegociatorja e Kosovës për dialogun me Serbinë, Edita Tahiri, e cila njihet se kritike e Qeverisë, në këtë rast i ka dhënë të drejtë asaj.

Ajo ka bërë me dije se Kosova do të bënte gabim të madh nëse rikthehet në procesin e dialogut pa ndëshkimin e Serbisë.

“Pa u ndëshkuar Serbia, Qeveria te mos pranoj takime me ndërmjetësit e dialogut te Brukselit. Do te ishte gabim strategjik!”, ka shkruar Tahiri në profilin e saj në “Facebook.

Por, ndryshe mendon Avdullah Hoti, ish-kryeministër i Kosovës.

Ai ka vlerësuar se Kosova duhet ta shfrytëzojë momentumin e ri pas rastit të Banjskës.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se kushtëzimi i rikthimit në procesin e dialogut do ta dëmtonte Kosovën.

“E para, tani është një moment i ri në proces të dialogut për normalizimit të marrëdhënieve me fqinjin tonë agresor. Në koordinim me aleatët, lidershipi i Kosovës duhet të shfrytëzojë këtë moment për të rivendosur bashkëpunimin e cenuar me aleatët dhe për avancim të integrimit euro-atlantik, e jo për politikë të brendshme siç po vepron tani. E dyta, lidershipi i Kosovës duhet të jetë i kujdesshëm në deklarime dhe kushtëzime lidhur me dialogun. Dialogu jonë është para se gjithash me Brukselin e Uashingtonin. Përmes tyre qendrave kalon rruga e Kosovës për BE dhe NATO. Rrugë tjetër nuk ka. Kushtëzimet na izolojnë. Shpresoj që kësaj radhe lidershipi i Kosovës ka zënë mend për rëndësinë e respektimit të këshillave të aleatëve, të cilët në çdo moment po e garantojnë kushtetutshmërinë dhe integritetin territorial e sovranitetin e shtetit të Kosovës”, ka shkruar Hoti.

Sipas tij, çdo hap në këtë drejtim do të duhej të bëhet në koordinim me aleatët.

“E treta, duhet rindërtuar konsensusi dhe dakordimi me aleatët tanë, i cili dakordim ka ekzistuar në qeverinë paraprake, për një proces dialogu që shpie tek marrëveshja për njohje reciproke si e vetmja zgjidhje për paqe të përhershme në këtë pjesë të Evropës. Lidershipi i Kosovës duhet të fokusohet në ndërtimin e këtij konsensusi me aleatët tanë, e jo në agjendë triviale për t’ia mbushur mendjen botës se çfarë është fqinji jonë verior. Jam i bindur se inteligjenca informative e aleatëve nuk ka nevojë për deklarime ditore të lidershipit të Kosovës”, ka vlerësuar Hoti.

Edhe drejtor i Institutit KIPRED, Lulzim Peci, mendon njëjtë.

Në një intervistë dhënë gazetës Nacionale, ai ka thënë se Kosova nuk duhet të këtë ndonjë hamendje për procesin e dialogut.

Sipas tij, Kosova duhet të tregojë gatishmëri për t`i zbatuar obligimet që ka marrë në këtë proces.

“Kosova duhet pa asnjë hamendje të angazhohet në dialog dhe të merr edhe hapa drejt zbatimit të saj, sidomos përmes përgatitjes sa më të shpejtë të draftit për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, për të cilin me çdo gjasë është zotuar Presidentja Osmani në SHBA”, ka thënë Peci.

Qeveria flet për kushtëzim

Deri me tani institucionet e Kosovës kanë lënë të kuptohen se nuk do të rikthehen në tavolinën e dialogut pa u ndëshkuar Serbia.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dje ka thënë se për të vazhduar dialogu me Serbinë fillimisht duhet të ndërmerren disa hapa.

Pas takimi me senatorët amerikanë, Jeanne Shaheen dhe Peter Welch, ai ka thënë se dialogu u ndërmjetësuar nga BE-ja nuk mund të vazhdojë sikurse nuk ka ndodhur asgjë më 24 shtator.

Në një konferencë për medie me senatoren Shaheen, Kurti ka thënë se për të pasur sukses procesi i dialogut për normalizim duhet të ndërmerren disa hapa.

“Gjithashtu i njoftova senatorët se dialogu i lehtësuar nga BE-ja nuk mund të vazhdojë thuajse nuk ka ndodhur asgjë, nuk mund të vazhdojmë punën në këtë staus quo edhe më tutje. Kapitulli i dialogut duhet të marrë parasysh edhe veprimet sulmuese e agresive të Serbisë dhe përpjekjet e saj për aneksimin e Kosovës. Prandaj, duhet të ndërmerren një varg hapash që dialogu të këtë edhe një shansë për të pasur suksese. Besoj se është tepër e rëndësishme që të kemi një qasje të balancuar përfshirë atë që të dënohet çdo shkelje e marrëveshjes bazë të arritur më 22 shkurt në Bruksel dhe aneksit për zbatim të Ohrit”, ka thënë Kurti.

Ai ka bërë thirrje që të dënohen sulmet e fundit të Serbisë mbi Kosovën.

Në të kundërtën, sipas tij, sulmet e tilla mund të përsëriten.

“Institucionet e inteligjencës kanë vërejtur se ka pasur një rritje të rrezikut të sulmeve nga Serbia. Unë jam kryeministër i të gjithë qytetarëve të Kosovës, të gjitha komuniteteve të vendit tonë prandaj të gjitha këto përpjekjet për destabilizim duhet të ndërpriten tani. Është koha që Serbia të mbetet përgjegjëse, përndryshe këto sjellje agresive do të vazhdojnë edhe më tutje”, është shprehur Kurti.

Të njëjtin qëndrim e ka shprehur edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Para fillimit të takimit të Komunitetit Politik Evropian, i cili është mbajtur javën e kaluar në Granada të Spanjës, presidentja e Kosovës kishte thënë se se pa sanksionimin e Serbisë nuk ka arsyeje të vazhdohet procesi i dialogut.

“Nuk ka arsye për tu takuar para se të vendosen sanksione kundër (Aleksandar) Vucic-it, sanksionet fillimisht e më pas mund të diskutojmë për të tjerat”, është shprehur Osmani.

Pavarësisht qëndrimeve të Kosovës, Bashkimit Evropian ka kërkuar rikthim të menjëhershëm të palëve në procesin e dialogut.

Zyrtarët e BE-së kanë bërë me dije se Kosova dhe Serbia nuk kanë rrugë tjetër për zgjidhjen e problemeve pos dialogut.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *