Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka njoftuar për ardhjen e trupave shtesë nga Britania e Madhe dhe Rumania. Ardhja e tyre u nxit nga sulmi terrorist në Banjskë.
“Një kontingjent prej 200 ushtarësh britanikë nga Batalioni i Parë i Regjimentit Mbretëror të Princeshës së Uellsit dhe më shumë se 130 trupa shtesë nga Rumania mbërritën në Kosovë dhe iu bashkuan kontingjentit të Mbretërisë së Bashkaur prej 400 të dislokuarve tashmë, për ta përforcuar misionin paqeruajtës të KFOR-it”.
KFOR thotë se dislokimi vjen pas sulmit të dhunshëm ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator dhe “rritjes së tensioneve në rajon për të përmirësuar praninë e KFOR-it në veri të Kosovës dhe patrullimin përgjatë vijës kufitare administrative”.
Vendimi për trupa shtesë, KFOR thotë se bazohet në një kërkesë të Komandantit Suprem të Aleatëve të NATO-s në Europë dhe u miratua nga Aleatët në Këshillin e Atlantikut të Veriut si një hap i kujdesshëm për të siguruar që KFOR-i të ketë forcat që i nevojiten për të përmbushur mandatin e tij të OKB-së për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë.
“NATO ka udhëhequr një operacion paqeruajtës në Kosovë që nga viti 1999 në përputhje me mandatin e saj sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. KFOR-i aktualisht përbëhet nga mbi 4,500 trupa të kontribuar nga 27 aleatë dhe partnerë të NATO-s”, thuhet në njoftim.