Ministri malazez i Drejtësisë Marko Kovaç refuzoi kërkesën e Kosovës për ekstradimin e shtetasit serb Momçilo Vukotiq (61), me qëllim të ndjekjes penale për krime lufte të dyshuara kundër popullatës civile, ai u arrestua në Mal të Zi dhe ndodhet në “arrest ekstradimi”, shkruan portali RTCG, transmeton FrontOnline.
Duke iu referuar informacioneve nga Ministria e Drejtësisë, portali shkruan se Gjykata ka konstatuar se janë plotësuar “kushtet ligjore për ekstradimin” e Vukotiqit, por ministri Kovaç ka refuzuar, pasi beson se neni 3 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Liritë Themelore është shkelur.
Në vendimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës për fillimin e hetimeve nuk është specifikuar se cilat veprime dyshohet se ka kryer Vukotiqi, të cilat janë pjesë e veprave penale, por vetëm thuhet se pas 24 vitesh është paraqitur një dëshmitar i cili e ka njohur fotografinë e tij në një album. tha ministria malazeze e drejtësisë, transmeton FrontOnline.
Ata thonë se ky nuk është rasti i vetëm kur Kosova kërkon nga Mali i Zi ekstradimin e qytetarëve të Serbisë për krime lufte të supozuara.
Është konstatuar se ekstradimi do të ishte në kundërshtim me nenin 3 të Konventës, ndërsa baza dhe autoriteti për refuzim rrjedh nga Ligji për Ndihmë Juridike Ndërkombëtare në Çështjet Penale dhe Konventa Evropiane për Ekstradim, theksoi Departamenti i Drejtësisë.
Kujtohet se Vukotiqi u arrestua nga policia malazeze nën dyshimin se kishte kryer veprën e supozuar kriminale të krimeve të luftës kundër popullatës civile në territorin e Pejës në vitin 1999. Pas arrestimit të Vukotiqit, gjyqtari hetues i Gjykatës së Lartë në Bijelo Polje e urdhëroi Vukotiqin me “arrest ekstradimi”./FrontOnline/