332 raste të reja me kancer të gjirit te femrat janë regjistruar në nëntëmujorin e parë të vitit 2023, teksa ky numër mund të rritet deri në fund të këtij viti. Kështu ka thënë drejtori i kësaj klinike, Ilir Kurtishi.
Ndërsa numri i rasteve që i trajton Klinika e Onkologjisë, kalon shifrën e 500 personave. Në një intervistë për Ekonomia Online, Kurtishi ka thënë se në tri vitet e fundit ka një rritje të rasteve të reja prej 10 për qind, në secilin vit krahasuar me vitet paraprake.
Ndonëse rastet e shënuara në Kosovë janë më pak se vendet e rajonit, Kurtishi sheh rrezik se mund t’i ofrohen këtyre vende.
“Rritja këtë vit, kemi identifikuar dhe regjistruar në Klinikën tonë rreth 332 raste femra dhe katër meshkuj me kancer të gjirit të stadeve të ndryshme, ndërkaq krahasuar me vitin e kaluar është afër 10 për qind më shumë se nëntëmujori i parë i vitit të kaluar dhe deri në fund të vitit ky numër mund të kalojë shifrën mbi 420 dhe është numër i rasteve te femrat në Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë e Mal të Zi. Ata kanë gati dyfish më shumë se ne por me përdorimin e metodave apo identifikimin më të hershëm dhe me faktin që jemi popullatë e re, të gjitha këto ndikojnë që ne të kemi më pak sëmundje malinje se vendet e rajonit, mirëpo trendi i sëmundjeve është në ngritje dhe shumë shpejtë ne do të mbërrimë me numër të femrave të sëmura me kancer të gjirit që do të mund t’u ofrohet edhe vendeve tjera”, ka thënë Kurtishi, teksa tregon edhe moshën e femrave të prekur me sëmundje malinje.
Rastet e reja rriten nga viti në vit dhe në tri vitet e fundit kemi një rritje prej 10 për qind, në secilin vit krahasuar me vitet paraprake, përpos vitit pandemik kur kemi pas një rënie të këtyre rasteve dhe këto të dhëna në kancerregjistrin e Klinikës, i kemi përpunuar këto të dhëna dhe jemi në fazën e filtrimit dhe i kemi të dhëna të sakta se cila moshë është më e prekura. Nga kjo del se më shumë kemi femra të prekura prej moshës 55 deri në 59 vjeç, dominon Komuna e Prishtinës e kështu më radhë”, u shpreh Kurtishi.
Ai foli edhe për numrin e pacientëve që frekuentojnë këtë klinikë. Aktualisht, Klinika e Onkologjisë i trajton deri në 500 persona, duke tejkaluar edhe Klinikën Emergjente në QKUK.
“Brenda një dite të zakonshme të punës ne në shërbimin e kimioterapisë ofrojmë shërbime për mbi 250 deri në 300 pacientë, pra në format të ndryshme të mjekimit, kryekëput është mjekim ambulator me kimioterapi dhe me forma të ndryshme të dhënies së këtyre ilaçeve. Në të njëjtën kohë në shërbimin e radioterapisë rrezatojmë brenda një dite kemi mbërri numër maksimal me rreth 160 pacientë në dy aparatet i rrezatojmë dhe në të njëjtën kohë shërbimin Brakiterapisë. Pra klinika brenda 24 orëve mund të trajtojë nga 450 deri në 500 persona që i bie të jetë klinika më e frekuentuar dhe me ngarkesën më të madhe se të gjitha klinikat në QKUK. Pra kryen kontrolle dhe trajtime më shumë se sa që bën edhe Klinika Emergjente në QKUK”, u shpreh tutje ai.
Ndonëse jo në mase të madhe edhe Onkologjia është prekur nga migrimi i stafit. Kurtishi ka thënë se duke e parë trendin e rritjes së rasteve, kjo klinikë do të ketë nevojë edhe më shumë për staf të mesëm.
“Me staf të mjekëve jemi të mbuluar relativisht mirë, kemi edhe katër specializantë, ndërsa me stafin infermieror këto dy, tre muajt e fundit i kemi marrë shtesë, të cilët e përmbushin në një far forme edhe pse me këtë trend të sëmundjeve malinje, viteve në vazhdim ne do të kemi nevojë edhe për staf të mesëm, meqenëse ka një numër të vogël por ka edhe lëvizje të stafit të mesëm të cilët e lëshojnë Kosovën. Shumë pak jemi prekur, dy apo tre infermierë por megjithatë ajo ka impakt në punën tonë të përditshme”, u shpreh Kurtishi. /EO/