Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka thënë se pas ngjarjeve të 24 shtatorit, Kosova dhe Serbia, duhet të angazhohen në dialog, konkretisht, edhe në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit, e këto përbëhen nga disa hapa.
Ambasadori Rohde ka thënë se lehtësuesi Lajçak dhe përfaqësuesi i lartë Borrell e kanë mbështetjen e Gjermanisë.
“Keni mundur ta shihni besoj, edhe para sulmit, që BE-ja, që në thelb lehtëson procesin, në deklaratën e 18 shtatorit edhe një herë ka theksuar ato që priten nga Kosova dhe nga Serbia. Serbia është kritikuar sepse nuk ka implementuar udhërrëfyesin për energjinë, si dhe për ngacmimin ndaj policëve, por kemi thënë që edhe Kosova nuk ka implementuar disa gjëra që i janë kërkuar që nga 3 qershori”, ka thënë ambasadori gjerman.
Rohde ka thënë se sulmin e 24 shtatorit, BE-ja e ka klasifikuar, e ka quajtur sulm terrorist. Sipas tij, sulmi ka qenë vrastar, qyqar, kundër policëve në detyrë, si dhe është kërkuar dënimi i kryerësve të krimit. Ai ka deklaruar se duhen mbledhur provat, duhen vlerësuar ato prova, pastaj edhe duhet të merret vendimi politik.