Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi, ka shprehur shqetësimin e tij në lidhje me grevën e minatorëve të Trepçës dhe ka akuzuar Qeverinë se po i përdor ata për ta zhvendosur fokusin nga Asociacioni.
“Nuk është kjo Vetëvendosja në të cilën unë jam anëtarësuar, tani rrjedhimisht unë mendoj që minatorët janë duke u përdorur me u zhvendos fokusi prej dështimit të madh të Asociacionit”, ka deklaruar ai.
Deputeti Abazi ka theksuar se në periudhën kur ka qenë zëvendësministër ka pasur po të njëjtin rast.
Ai ka shtuar se edhe pse minatorët në atë kohë kanë pasur vlerësime se janë shtyrë nga partitë politike, ai kishte vendosur të qëndrojë me ta në horizontet brenda Trepçës deri në zgjidhjen e problemeve.
Në Debat Plus, Abazi ka thënë se në rast se dikush është duke i shtyrë minatorët tani të hyjnë në grevë, me “vullnetin dhe sinqeritetin e angazhimit, një person mund të gjejë një zgjidhje, pasi minatorët në fund të fundit janë njerëz racionalë dhe kanë një arsye për të qëndruar atje”.
Në lidhje me reagimin e Qeverisë ndaj këtyre situatave, deputeti Abazi ka thënë se është e turpshme që Qeveria të formulojë faktin se këtu ka Këshill Grevist dhe se ligji për greva nuk lejon këtë organizim të tyre.
“Që do të thotë edhe nëse dikush është duke i shtyrë të hynë atje, nëse ka vullnet e sinqeritet të angazhimit njeri e nxjerr situatën, sepse ata në fund të fundit janë njerëz racionalë, të cilët kanë një arsye pse iu kanë bindur çfarëdo marrëveshjeje për të qëndruar atje. Është e turpshëm nga ana e Qeverise për të thënë që qëndrimi se këtu nuk ka këshill grevist edhe ligji për greva nuk i lejon ata me organizu”, është shprehur ai.
Ai ka theksuar se megjithëse dikur ishte anëtar i Vetëvendosjes, sipas tij, kjo parti më nuk është e njëjta sikur ishte në opozitë.
“E rrjedhimisht i bie që unë kur e kam përkrahur Vetëvendosjen kur ka gjuajtur gazë lotsjellës edhe ka qenë me kauzë kundër Asociacionit si pushtet i tretë, kundër Demarkacionit si humbje e tokës, unë edhe sot jam mbrapa këtyre kauzave”, ka deklaruar Abazi.