“Të tjerët nuk firmosin”, AAK heq dorë nga votëbesimi për Kurtin, ndryshon strategji

Qeveria Kurti, dialogu me Serbinë, zgjedhjet e parakohshme në veri përmes peticionit për shkarkimin e kryetarëve por edhe kritika për presidenten e Kosovës dhe gjuhën e përdorur ndaj saj së fundmi. Me këto çështje në kalendarin e saj politik, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, i rikthehet këtë shtator, jetës parlamentare.

Ndoshta me një kauzë të lënë përgjysmë rrugës, ajo e mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë Kurti, kjo sepse sipas Shefit të grupit të AAK, Besnik Tahiri, dy partitë e tjera në opozitë, PDK dhe LDK, nuk janë të interesuara ta firmosin. “PDK e LDK s’janë të interesuara për t’i dhënë nënshkrimet…”, tha ai.

Edhe pse nuk flitet për opsionin e zgjedhjeve të reja, me rrëzimin e qeverisë Kurti, Tahiri shprehet i bindur se Vetëvendosje nuk i merr më 50% të votave.

Për rikthimin e dialogut, me takimin e Brukselit më 14 shtator, Tahiri I rikthehet akuzave ndaj Albin Kurtit, kur flet për qasje të gabuar në raport me Serbinë, qasje që sipas AAK-së, e ka shndërruar Kosovën në humbëse në këtë proces. E këtu, kritikat shkojnë edhe në emër të presidentes Osmani.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk mbështet as mënyrën që ka zgjedhur qeveria, për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në 4 komunat veriore, përmes peticionit për shkarkimin e kryetarëve, për shkak të problematikave që në të ardhmen, mund të rëndojnë mbi Kosovën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *