Rifillon gjykimi për rastin ‘Veteranët’

Pas disa dështimeve më në fund janë plotësuar kushtet ligjore për mbajtën e seancës së shqyrtimit gjyqësor në rastin e njohur si “Veteranët”, rast ky i kthyer në rigjykim që nga marsi i 2022-tës.

Apeli e kishte prishur aktgjykimin lirues të Departamentit Special për rastin e “Veteranëve” vendim ky i cili i ka kthyer edhe njëherë në bankën e të akuzuarve anëtarët e Komisionit Qeveritar për verifikimin e statusit të veteranëve të UÇK-së.

Kryetari i trupit gjykues Gazmend Bahtiri, filloi shqyrtimin duke i pyetur për fajësinë të akuzuarit lidhur me akuzat e prokurorisë.

Të gjithë në mënyrë unanime, duke përfshirë: Agim Çekun, Faik Fazliun, Nuredin Lushtakun, Tahir Rrecajn, Shkumbin Demaliajn, Shukri Buja, Qelë Gashin, Rrustem Berishën, Smajl Elezajn, Fadil Shurdhaj, Xhavit Jasharin, Ahmet Daknu dhe Sadik Halitjahën, deklaruan të pafajshëm.

Prokurori special Valdet Gashi në fjalën e tij hyrëse u shpreh se Komisioni e ka përgjegjësinë sipas ligjit për listat përfundimtare dhe se do të vërtetohet dyshimi i bazuar se i njëjti Komision jua ka njohur statusin e veteranit luftëtarë 19,500 aplikacioneve të parregullta.

Procesi i ankesave sipas prokurorit special po ashtu kishte vazhduar me shkelje serioze dhe ishte zhvilluar në kundërshtim me rregulloren pasi njerëzit e njëjtë që kishin vendosur për statusin në fazën e parë, e kishin bërë përzgjedhjen edhe në shkallë të dytë.

Sipas Gashit ka pasur formularë vetëm me të dhëna personale dhe asnjë të dhënë tjetër.

“88 milionë euro dëm i është shkaktuar buxhetit të Kosovës i cili vazhdon të rritet çdo ditë deri në ditën kur po flasim” – u shprehë mëtutje prokurori.

Mbrojtësi i Agim Çekut, avokati Ramë Gashi tha se i qëndron fjalës hyrëse të dhënë në seancat e mëhershme.

Ai tha se prokuroria për akuzën nuk ka prova.

“Akuza nuk ka pasur prova, gjë që në mënyrë të drejtë është vërtetuar edhe në aktgjykimin paraprak. Provat që i ka prokuroria nuk mund ta dëshmojnë se klienti im duke qenë kryetar i komisionit ka keqpërdorë pozitën” – u shprehë avokati.

Avokati Ramë Gashi kundërshtoi edhe rikthimin e rastit në rigjykim.

“Ky rigjykim nuk i respekton provat, konstaton gjendje faktike në mënyrë të gabuar dhe ka qasje të njëanshme në dëm të të gjithë të pandehurve, por po kufizohem të them në dëm të z. Agim Çeku” – tha mëtutje avokati Gashi.

Avokati i Nuredin Lushtakut, Tahir Rrecaj po ashtu deklaroi se mbetet në tërësi pranë deklaratës së kaluar.

Ai tha se klienti i tij në mënyrë krejt arbitrare trajtohet si anëtar i komisionit ndërkohë që asnjë vendim nuk figuron se Nuredin Lushtaku ka qenë anëtar.

“Nga procesverbali del se Lushtaku ka marrë pjesë në një mbledhje por si zëvendësim i anëtarit të komisionit qeveritar Sami Lushtaku. Madje në atë mbledhje nuk është marrë asnjë vendim për njohjen e të drejtës së veteranit – luftëtar, kjo mund të vërtetohet përmes procesverbalit”, tha avokati Rrecaj.

Ai tha se duhet të trajtohet nëse Sami Lushtaku ka pasur autorizim ligjor që ta dërgojë si zëvendësues Nuredin Lushtakun.

“I tërheq vërejtje trupit gjykues se Lushtaku ka njoftuar disa anëtarë se disa persona po aplikojnë për marrjen e statusit duke pretenduar se kanë qenë pjesë e brigadës fantome “Hasan Prishtina” e cila nuk ka ekzistuar kurrë”- tha në fjalën e tij hyrëse avokati i Nuredin Lushtakut.

Sipas tij prokuroria po e ngarkon në mënyrë arbitrare Nuredin Lushtakun.

“Prokurori nuk duhet të insistojë në inkriminimin e domosdoshëm të klientit tim, edhe prokurori e di që Nuredin Lushtaku nuk ka cilësi të personit zyrtar”- përfundoi avokati.

Avokati mbrojtës i Sadik Halitjahës, Esat Berisha tha se klientj i tij është akuzuar pa të drejtë.

Akuza sipas tij nuk është e mbështetur në prova qoftë materiale apo juridike.

“Z. Halitjaha ishte anëtar i komisionit qeveritar për verifikikin e statusit të veteranit të UÇK- së. Detyra e anëtarëve të komisionit ishte vetëm verifikimi formal i kushteve të caktuar me ligj dhe jo nënshkrimi, vula apo autenticiteti i aplikacioneve. Anëtarët vetëm e kanë finalizuar procesin, i cili ka kaluar në stade. Qartas mungon lidhja shkakore shkak – pasojë”, tha avokati Berisha.

Fjalë hyrëse pati edhe nga avokati i Shkumbin Demaliajt, Arianit Koci.

“Do të provohet se prokuroria në fillim e ka marrë një kurs të gabuar dhe ashtu ka vazhduar deri në fund duke e akuzuar klientin tim pa asnjë provë”, tha avokati Koci.

Sipas avokatit të Demaliajt kompetencat e komisionit ishin formale.

“Fakti që krejt komisioni akuzohet dhe jo ndonjëri prej tyre tregon se çka ka ndodhë. Komisioni e ka pasur detyrë verifikimin formal të listave dhe aplikacioneve, si mundet komisioni ta mohojë një listë të cilën e kanë përpiluar komandantët e togut, kompanisë, batalionit, pra i tërë zingjiri komandues?! Klienti im ëdhtë tërësisht i pafajshëm”, tha ai.

Kurse avokati i Qelë Gashit, Gafurr Elshani tha se sigurimi i provave është bërë me një varg shkeljesh ligjore dhe gjykata duhet t’i konsiderojë të papranueshme.

“Sekuestrimi i aplikacioneve është bërë në mënyrë të kundërligjshme. A është prokuroria organ verifikues që konstaton se 19,500 persona janë veteranë të paligjshëm?”, tha Elshani.

Avokati po ashtu përmendi kërkesën për azil të inicuesit të aktakuzës për veteranë.

“Prokurori që e ka ngritur aktakuzën e ka pëdorë si bazë për azil jashtë vendit, këta krejt i kanë pasë letrat i kanë prishë e janë ardhë me vdekë për këtë vend”, përfundoi mbrojtësi i Qelë Gashit.

Mbrojtësi i Shukri Bujës, avokati Fadil Jashari foli shkurt duke i kundërshtuar në tërësi pretendimet e prokurorisë speciale dhe treguar se beson se në fund do të ketë vendim lirues për klientin e tij.

Mbrojtësi i Ahmet Dakut, Fahri Sadriu tha se në fund të procesit do të fuqizohet pafajësia e të mbrojturit të tij.

Mbrojtësi i Rrustem Berishës, avokati Artan Çerkini tha se ligji pozitiv përcakton se luftëtar do të konsiderohet personi që ka luftuar qoftë edhe një ditë.

“Ligji po thotë “deri në përfundim të luftës” pra vetëm një ditë ai që ka luftuar bëhet veteran luftëtar, jo nga fillimi në fund”, shpjegoi Artan Çerkini.

“Komisioni ka qenë në një zonë komforti sepse e ka ditë që përgjegjësinë penale e ka aplikuesi. Nuk mund të vërtetohet lidhja kauzale në mes të anëtarëve të komisionit dhe pasojës së shkaktuar”, tha tutje ai.

Naim Rudari, avokat i të pandehurit Faik Fazliu, tha se çuditërisht Apeli e ka kthyer pikërisht këtë rast në rigjykim, duke përmendur faktin se pjesë e trupit gjykues ishte edhe një gjyqtar serb.

Aty e ndërpreu kryetari i trupit gjykues Gazmend Bahtiri duke ja rikujtuar edhe dy anëtarë tjerë.

“Ishin edhe dy shqiptarë”, tha Bahtiri.

Avokati mes të tjerash tha se Faik Fazliu ishte sekretar i komisionit gjë që i jepte një fushëveprimtari teknike të punës.

Por edhe vetë komisioni sipas tij nuk ka pasur kompetenca ta hetojë apo investigojë rastin.

“Fakti që kanë rrjedhur incizime ku ai shfaqë shqetësimin e tij se janë bërë disa veteranë pa qenë të tillë e përjashton inkriminim e tij”, u shpreh më tutje avokati.

Avokati i Fazliut tha se nëse është e nevojshme do të propozojnë dëshmitarë të rinj.

Nysret Islami, mbrojtës i Ismajl Elezajt, po ashtu u shpreh se mbetet pranë fjalës fillestare të shqyrtimit të kaluar.

Ai e konsideroi akuzën të pabazuar.

“Akuza nuk është e mbështetur në prova materiale, fillojmë nga aspekti kohor i akuzuari im akuzohet për periudhën nga viti 2011 e në fakt në mbledhjet e komisionit verifikues ka marrë pjesë nga viti 2015 si zëvendësues dhe nuk ka qenë i emëruar”, shpjegoi ai.

“Pas tij nga organizata e UÇK-së kanë ardhë edhe dy emra të tjerë çka dmth se i njëjti komision verifikues ka marrë pjesë në një kohë të caktuar jo nga fillimi në fund. Akuza nuk është e mbështetur në prova dhe fakte. Ligji përcakton qartë se përgjegjësia penale bie pikërisht mbi aplikuesit”, përfundoi ai.

Skënder Musa, mbrojtës i Fadil Shurdhajt, tha se kanë ndryshuar disa rrethana nga vendimi i Apelit, andaj në këtë fazë është e nevojshme të dëgjohen dëshmitarë që nuk janë dëgjuar në seanca të kaluara.

Sipas tij asnjëri anëtar nuk ka dashur të krijohen pasoja të palejuara.

“Klienti im nuk ka kontribuar në rritjen e numrit të veteranëve. Numri i veteranëve prej 19,500 nuk mund të vërtetohet pa dëgjimin e këtyre personave që kanë fituar statusin e veteranit. Unë e konsideroj këtë gjykim prej proceseve më të rëndësishme në Republikën e Kosovës, pa u kufizuar në sferë kohore”, tha në fjalën e tij hyrëse avokati Musa.

Gjyqtari Gazmend Bahtiri ndërhyri sërish duke thënë se dëgjimi i 19,500 personave është i pamundshëm.

“Duhet t’i zgjedhim”, replikoi Skënder Musa.

Avokatja e Xhavit Jasharit, Fehmije Bytyqi tha se nuk ka asnjë provë se ai ka kryer veprën penale që i ngarkohet. Ajo tha se i përkrahë ato që i thanë kolegët e saj paraprak.

Ajo elaboroi pasoja subjektive të këtij procesi gjyqësor.

“Ky proces gjyqësor ka bërë që personat që vertetë kanë qenë veteranë të luftës dhe kanë vdekur familja e tij të shprehen se asgjë s’na ka bërë vdekja e babait çfarë na ka bërë njollosja se ai s’ka qenë veteran i luftës. Sna ka bërë vdekja e babës asgjë sa na ka bërë njollosja se s`ka qenë veteran i luftës”, u shpreh avokatja Bytyçi.

Kryetari i trupit gjykues Gazmend Bahtiri njoftoi se seancat e radhës janë caktuar më 20 dhe 21 dhjetor në ora 09:00.

Agim Çeku dhe të tjerët akuzohen se gjatë kohës kur kanë qenë anëtarë të Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit, veteranit, në mënyrë të qëllimtë nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre dhe i kanë keqpërdorur të njëjtat në mënyrë që të tjerëve t`u sjellin përfitim pasuror.

Gjithnjë sipas aktakuzës, anëtarët e Komisionit duke vepruar në kundërshtim me ligjin dhe rregullat e përcaktuara nga vetë komisioni ua kanë mundësuar dhe njohur personave të tjerë që të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme statusin e veteranit luftëtar të UÇK-së, raporton Kallxo.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *