Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka takuar ministrin grek të Mbrojtjes, Nikos Dendias.
Në një postim në platformën X [ish-Twitter], Kurti ka thënë se gjatë takimit me Dendias kanë folur për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku si pasojë e të shtënave nga një grup i armatosur serb, mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku.
Ai më tej tha se kanë diskutuar edhe për bashkëpunimin me KFOR-in për patrullimin e kufirit në veri.
“E shijova takimin me ministrin e Mbrojtjes, Nikos Dendias. Unë fola për sulmin terrorist dhe se si trupat paraushtarake u penguan të zbatonin planin e tyre për një konflikt më të madh. Gjithashtu diskutuam edhe për bashkëpunimin me KFOR-in për patrullimin e kufirit në veri”, shkroi Kurti.