AGK: Këtë vit u raportuan 63 raste të sulmeve e kërcënimeve ndaj gazetarëve, 30 prej tyre u shënuan në Veri

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka njoftuar se në 10 muajt e fundit janë raportuar 63 raste të sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve dhe mediave.

“Në Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës janë raportuar gjithsej 63 raste të sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve e mediave që nga janari e deri në fund të muajit tetor të këtij viti.”

30 prej tyre janë shënuar në Veri, ndërsa pjesa tjetër është raportuar nga terrene e raportime të tjera të ndryshme.  

“Sipas të dhënave që posedon AGK-ja, vetëm për katër (4), prej rasteve të raportuar në organizatë dhe Policinë e Kosovës, ka filluar procedurë gjyqësore, ku sulmuesit/ve u është shqiptuar masa e paraburgimit prej një muaji.”

Komunat që prijnë me më së shumti raste të sulmeve dhe kërcënimeve të raportuara janë Prishtina me 22 raste, Zveçani dhe Leposaviqi me nga 13 raste. Teksa, komunat e tjera që janë raportuar rastet janë: Gjakova – 2 raste, Prizreni – 4 raste, Mitrovicë e Veriut – 1 rast, Fushë Kosova – 1 rast, Shtime – 3 raste, Kamenica -1 rast dhe Zubin Potoku – 2 raste.

|Për të rritur ndërgjegjësimin e rëndësisë së ndëshkimit të sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve e mediave, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, nesër më 2 Nëntor – Ditën Ndërkombëtare për t’i dhënë fund mosndëshkimit të krimeve kundër gazetarëve, do ta shënojë nëpërmjet një kampanje online duke publikuar qëndrimet e ambasadorëve, partnerëve, kolegëve gazetarë, si dhe juristëve të medias.”

“Njëherësh, në kuadër të platformës rajonale, Safe Journalists, AGK-ja së bashku me shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, do të kërkojë nga kolegët që të raportojnë rastet e kërcënimeve dhe sulmeve ndaj tyre në institucionet kompetente.”

Gjithashtu, nesër, 2 nëntor me fillim nga ora 17:00, në Kino Armata, në bashkëpunim me British Embassy Pristina – do të shfaqet dokumentari “Lyra”, për jetën, veprën dhe vrasjen e gazetares, Lyra McKee.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *